BALLKANI

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë ndërpret partneritetin me ambasadën izraelite

"Meqenëse shteti izraelit ndërpreu fondet e Festivalit Ophir pas ndarjes së çmimit të një filmi palestinez, ne po tërhiqemi simbolikisht si një deklaratë parimore dhe një gjest solidariteti", thuhet në deklaratë nga festivali TIFF

Fatjon Cuka  | 21.09.2025 - Përdıtësım : 21.09.2025
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë ndërpret partneritetin me ambasadën izraelite Foto: TIFF

Tiranë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (Tirana International Film Festival-TIFF) ka ndërprerë partneritetin me Ambasadën e Izraelit në Shqipëri, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga TIFF në rrjetet sociale thuhet se qëndrojnë fort kundër të gjitha formave të gjenocidit, dhunës, shtypjes dhe padrejtësisë.

"Ne duam të krijojmë ura, jo barriera, dhe të nxisim dialogun dhe lidhjen përmes kinemasë. Për këtë arsye, ne kemi marrë masat e nevojshme sot duke hequr logon dhe partneritetin me Ambasadën Izraelite. Meqenëse shteti izraelit ndërpreu fondet e Festivalit Ophir pas ndarjes së çmimit të një filmi palestinez, ne po tërhiqemi simbolikisht si një deklaratë parimore, një gjest solidariteti dhe një kujtesë se ne mbështesim lirinë, artin dhe artistët kudo që janë", thuhet në deklaratë.

TIFF thekson ndër të tjera se janë krenarë që qëndrojmë përkrah regjisorëve, artistëve dhe audiencës që e njohin kinemanë jo vetëm si një medium artistik, por si një forcë për empati, dialog dhe ndryshim.

“TIFF, i themeluar në vitin 2003, ka qenë gjithmonë një festival i pavarur, i dedikuar kinemasë dhe lirisë artistike. Ne kemi jetuar vite diktature dhe e dimë thellësisht vlerën e lirisë dhe të drejtës për t'u shprehur përmes artit. Që nga fillimi, ne kemi promovuar zëra shpesh të heshtur dhe histori që frymëzojnë dialog, kreativitet dhe mirëkuptim”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë do të mbahet në datat 21-27 shtator dhe pjesë e ti janë filma nga disa vende, përfshirë edhe nga Turqia.

Festivali organizohet nën kujdesin e Institutit të Filmit në Tiranë, me mbështetjen e disa ministrive dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve dhe të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.