BALLKANI

Fenomeni i rrjeteve sociale me humorin e Rumelisë, Selviye İnci, i bashkohet serialit turk "Ninulla Ballkanike"

"Ballkani është vërtet i dashur kudo. Të gjithë ata që nuk janë nga Ballkani, nga Rumelia, që nuk janë emigrantë, të gjithë e duan shumë Ballkanin. Unë e shijova këtë gjë", tha İnci

Furkan Abdula  | 11.08.2022 - Përdıtësım : 12.08.2022
Fenomeni i rrjeteve sociale me humorin e Rumelisë, Selviye İnci, i bashkohet serialit turk "Ninulla Ballkanike" Foto: Umeys Sulejman / AA

Shkup

FURKAN ABDULA

Fenomeni i rrjeteve sociale Selviye İnci, sapo i është bashkuar nga episodi i shtatë ekipit të serialit “Ninulla Ballkanike”, të xhiruar nga TRT 1 në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

İnci, e cila ndan videot e saj humoristike me theksin turk të Maqedonisë së Veriut, me më shumë se 500 mijë ndjekës në Instagram, foli për Anadolu Agency (AA) në lidhje me të qenit fenomen në rrjetet sociale, ofertën nga seriali "Ninulla Ballkanike" dhe personazhi që do të luajë në serial.

Duke u shprehur se fillimisht ka shpërndarë në rrjetet sociale receta nga rajoni i Rumelisë, İnci tha se pas kësaj ajo filloi me video-humori dhe ka tre vite që përgatit video të tilla.

Ajo thotë se nuk kishte supozuar që humori i rajonit do të kuptohet edhe nga njerëzit jashtë tij.

“Ballkani është vërtet i dashur kudo. Të gjithë ata që nuk janë nga Ballkani, nga Rumelia, që nuk janë emigrantë, të gjithë e duan shumë Ballkanin. Unë e shijova këtë gjë. Gjithashtu në atë platformë nuk kishte asnjë humorist të Rumelisë si unë. Edhe nga kjo gjë përfitova shumë. Kështu fillova të përparoj”, shprehet İnci.

“Çdo profesion që ka të bëjë me njerëzit është i vështirë”

Duke vënë në dukje se zakonet dhe traditat janë shumë të rëndësishme në kulturën e Rumelisë, İnci tha se nuk ndihej rehat me rrëfimin e kufizuar mbi Ballkanin në televizione dhe për këtë arsye në përmbajtjet e saj ka trajtuar në detaje Ballkanin.

Ajo tha se në fillim përpiqej të prodhonte vetë përmbajtje dhe se kjo filloi të shndërrohej në biznes në një kohë të shkurtër, duke shtuar se ka marrë edhe çmimin për fenomenin më të mirë në çmimet "Best of Rumeli".

Sipas saj, mediat sociale janë platformë e këndshme dhe e vështirë për t’u menaxhuar.

“Nevojitet një psikologji e shëndoshë. Sepse aty janë të gjitha llojet e njerëzve. Çdo profesion që ka të bëjë me njerëzit është vërtet i vështirë. Por rrjetet sociale janë vend krejtësisht tjetër. Sepse askush nuk ngurron të thotë atë që do. Duhet një psikologji shumë e fortë”, thekson İnci.

Duke folur për ofertën e marrë për të qenë pjesë e serialit, İnci thotë:

“Unë ende nuk them ‘jam aktore’. Kjo kërkon shumë punë dhe përpjekje. Njerëzit shpenzojnë vite. Unë jam falënderuese që më besuan. Më erdhi oferta dhe e pranova. Ende ka kaluar një javë me këtë emocion. Aty ka emra të mëdhenj si Erdal Özyağcılar dhe Özlem Türkad. Punoni me një regjisor si Serdar Akar. Cilido të jetë, qoftë vëllai Erdal apo motra Özlem, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë”.

Ajo thotë se ka mësuar shumë gjëra nga aktorët e serialit, duke e cilësuar këtë si përvojë të mirë.

“Imagjinoni, para një kohe unë rrija ulur në shtëpi duke parë serialin ‘Elveda Rumeli’ në televizor. Serdar Akar është një regjisor për të cilin unë lexoja në gazetë, në internet dhe mësoja për të. Erdal Özyagcilar është aktor i (kinematografisë turke) Yeşilçam të cilin babai im dikur e shikonte me admirim ndërsa tani unë po luaj përkrah tij. Mua më mjafton kjo gjë. Sepse gjithsesi nuk e kam pasur ëndërr te aktroja. Ende nuk e kam. Nuk kam një plan të tillë në jetën time, por ndodhi dhe mua më vjen mirë”, thotë İnci.

Duke bërë një vlerësim rreth personazhit, rolin "Güldaniye" që ka luajtur në "Ninullën Ballkanike", İnci tha: "Nuk di si ta përshkruaj atë rol. Nëse më duhet ta lavdëroj, nuk mundem. Është një personazh shumë i çmendur, një personazh shumë dominues. Në serial përfshihem si halla e Ertanit. Një personazh çuditërisht i fortë. Por i ka ngarkuar vetes vetëm një mision: t'i martojë të gjithë. Ka një alergji kundër të gjithë beqarëve. Pra, nuk dëshiron që përreth të shikojë beqarë".

"Kemi një hallë e cila vazhdimisht bën përshtatjen e personave me njëri-tjetrin në mendjen e saj duke menduar për familjet, prejardhjen e tyre dhe që i marton në atë formë dhe mban shënime për këtë. Nuk e di sa do pëlqehet. Po, është një hallë shumë komike. Një personazh shumë dominues. Në serial po luaj moshën e 50-të. Me rrudha në fytyrë, por tashmë nuk e di si do pritet ky personazh, sepse dashuria e Yovankës me Ertanin bie në mes si një bombë. Bie në mesin e konakut. Shpresoj që të pëlqehet ky personazh", tha ajo.

İnci në videot e saj të humorit dhe me theksin që përdor në serial ka përcjellë për publikun këtë mesazh: Në mbrëmjet e të martave të mos shkojnë për vizita, por të qëndrojnë, të ulen në orën 8 të shikojnë televizor".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın