BALLKANI

Federata Shqiptare e Futbollit rinovon kontratën me trajnerin Sylvinho

Në një njoftim nga FSHF-ja thuhet se zyrtarzimi i këtij rinovimi konfirmon vazhdimësinë e projektit teknik "që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar"

Fatjon Cuka  | 07.01.2026 - Përdıtësım : 07.01.2026
Federata Shqiptare e Futbollit rinovon kontratën me trajnerin Sylvinho Foto: AA/Arkiv

Tiranë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares Shqiptare në Futboll, Sylvio Mendes Campos Junior (Sylvinho), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga FSHF-ja thuhet se zyrtarzimi i këtij rinovimi konfirmon vazhdimësinë e projektit teknik "që ka sjellë rezultate historike për futbollin shqiptar".

Sipas njoftimit, kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, "me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës".

"Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026", thuhet në njoftim.

Sylvinho është trajner i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll që nga janari i vitit 2023.

Sipas FSHF-së, në muajin mars, kuqezinjtë do të luajnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit 2026 me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.