BALLKANI

Falë punimeve restauruese dhe infrastrukturore të Turqisë, Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk u ndikua nga përmbytjet

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se Xhamia e Plumbit i ka qëndruar reshjeve intensive të orëve të fundit në Qarkun e Shkodrës, pa pësuar asnjë dëmtim

Fatjon Cuka  | 27.10.2025 - Përdıtësım : 27.10.2025
Falë punimeve restauruese dhe infrastrukturore të Turqisë, Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk u ndikua nga përmbytjet

Tiranë

Falë punimeve restauruese dhe infrastrukturore të Turqisë, Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk është ndikuar nga përmbytjet e fundit, transmeton Anadolu.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka deklaruar se Xhamia e Plumbit i ka qëndruar reshjeve intensive të orëve të fundit në Qarkun e Shkodrës, pa pësuar asnjë dëmtim.

Në rrjetet sociale ministri Gonxhja ka publikuar fotografi të gjendjes së mëparshme të xhamisë e cila përmbytej pas reshjeve dhe gjendjes aktuale, e cila nuk është prekur nga përmbytjet, pas restaurimit nga Turqia.

"Pas vitesh të njëpasnjëshme përmbytjeje, falë punimeve të restaurimit dhe konservimit, si edhe ndërtimit të mbrojtjes me rrethimin-digë, Xhamia e Plumbit i ka qëndruar reshjeve intensive të 24 orëve të fundit në Qarkun e Shkodrës, pa pësuar asnjë dëmtim. Pompat vijojnë të funksionojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar mbrojtjen e këtij monumenti të çmuar", ka shkruar Gonxhja.

Ai ka theksuar se ky projekt, i realizuar me mbështetjen e qeverisë turke, ka rikthyer plotësisht vlerat historike dhe arkitekturore të objektit, sipas tij, duke e kthyer atë sërish në shërbim të besimtarëve, vizitorëve vendas dhe të huaj.

Xhamia e Plumbit në Shkodër, pas restaurimit me mbështetjen financiare të Turqisë ka rifituar shkëlqimin e dikurshëm dhe u hap për besimtarët në maj të këtij viti.

- Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër

Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera. Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.

Xhamia e Plumbit në vitin 1948 u shpall monument kulturor, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti. Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.

Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët myslimanë në nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në vend gjatë periudhës së komunizmit. Ndërkohë, në vitet e kaluara Xhamia e Plumbit përmbytej shpesh gjatë reshjeve të shiut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.