Evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Lindja e Mesme përfundon plotësisht
Me përfundimin e operacionit, numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të evakuuar nga vendet e Lindjes së Mesme arriti në 605
Shkup
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është përfunduar plotësisht evakuimi i të gjithë shtetasve të vendit nga rajonet e prekura të Lindjes së Mesme që kishin kërkuar kthim në vend, transmeton Anadolu.
Sipas ministrisë, operacioni përfundoi me fluturimin e fundit, përkatësisht të pestin, i cili u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dje, me gjithsej 147 persona, përfshirë 119 shtetas maqedonas dhe 28 shtetas të huaj.
"Në këtë mënyrë, shteti tregoi gatishmërinë e tij për të reaguar në kohë në situata krize, për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve maqedonas, por edhe për të treguar solidaritet me qytetarët nga vendet mike në rajon dhe më gjerë", tha ministria.
Autoritetet thanë se të gjitha fluturimet ishin të organizuara si çarter dhe kostot e tyre janë mbuluar nga shteti. Me përfundimin e operacionit, numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të evakuuar nga vendet e Lindjes së Mesme arriti në 605.
Ministria theksoi se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti më i lartë dhe se evakuimi është realizuar për të gjithë ata që kishin shprehur interes për t'u kthyer. Ajo shtoi se linjat emergjente të komunikimit, përfshirë numrin SOS dhe kontaktet e përfaqësive diplomatike dhe konsullore, do të mbeten të hapura për qytetarët.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
