Erdoğan: Ashtu si deri tani, edhe më tej do të jemi prej vendeve garantuese të paqes në Ballkan
Presidenti Erdoğan dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve në kryeministri

Ankara
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se ashtu siç kanë bërë deri tani pjesën e tyre për paqen, qetësinë e Ballkanit, edhe më tej në të njëjtën mënyrë do të jenë një prej vendeve garantuese të paqes dhe qetësisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve në kryeministri.
Presidenti Erdoğan rikujtoi nënshkrimin e shtatë marrëveshje mes dy vendeve dhe uroi që këto marrëveshje të jenë të dobishme për të dy vendet.
Pasi falënderoi popullin shqiptar dhe autoritetet e tij, të cilët i pritën ngrohtësisht, Erdoğan tha se me mikpritjen e shqiptarëve edhe një herë e kanë ndier veten si në shtëpinë e tyre.
Ai u shpreh se Turqia ka lidhje të ngushta miqësie dhe vëllazërie me Shqipërinë që datojnë prej shekujsh. Erdoğan tha se "Ne jemi dëshmitarë të forcimit të këtyre marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve në çdo rast, në çdo vështirësi me të cilën përballemi”.
Në tërmetin e ndodhur në vitin 2019 në Shqipëri, populli turk ka ndjerë në zemër dhimbjen e Shqipërisë, tha Erdoğan, i cili theksoi se sapo morën lajmin për tërmetin, menjëherë kaluan në veprim me besimin se “Mik i vërtetë është ai që vjen pa e thirrur”.
Ekipet turke të ndihmës bënë përpjekje të mëdha për të shëruar plagët shpejt dhe për të lehtësuar problemet, tha Erdoğan.
"Ne i ndoqëm nga afër këto përpjekje duke biseduar shpesh me mikun tim çmuar, të nderuarin Edi Rama. Ashtu si kemi premtuar sot kemi kryer dorëzimin e banesave të tërmetit që kemi ndërtuar në qytetin e Laçit për të prekurit që u janë shembur shtëpitë nga tërmeti. Duke ndërtuar 522 banesa për 13 muaj në një periudhë që mund të konsiderohet rekord, ne kemi dëshmuar në mënyrë të vendosur rëndësinë që i kushtojmë vëllazërisë mes nesh. Shpresoj që edhe pas kësaj do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë në ditë mira dhe në ditë të vështira", deklaroi Erdoğan.
Ai u shpreh se përmes punimeve të rinovimit i kushtojnë rëndësi të veçantë monumenteve historike që pasqyrojnë trashëgiminë e përbashkët kulturore në Shqipëri. Duke vënë në dukje se në Turqi kultura dhe turizmi ndodhen nën një çati, Erdoğan tha se Shqipëri ka dy ministri të veçanta. "Ne mund të vazhdojmë përpjekjet tona mbështetëse me institucionet tona, veçanërisht me TIKA-n në këtë pikë të përbashkët të trashëgimisë kulturore në Shqipëri", shtoi Erdoğan.
Në lidhje me Xhaminë e Et‘hem Beut, restaurimi i të cilës është kryer nga TIKA, Erdoğan tha: "Xhamia Et‘hem Beut përveçse është një vend adhurimi, në të njëjtën kohë ajo është një vepër simbol e cila siguron kontribut në strukturën historike dhe turistike të qytetit të Tiranës. Bashkë me Kullën e Sahatit që ndodhet pranë saj dhe e cila i përket periudhës osmane, ajo është një prej trashëgimive më të rëndësishme kulturore të Tiranës që kanë mbijetuar në ditët e sotme".
Duke deklaruar se me kryeministrin Edi Rama diskutuan në mënyrë të detajuar edhe marrëdhëniet e nivelit të partneritetit strategjik, Erdoğan informoi se ata kanë përmendur edhe rëndësinë e funksionit të mekanizmit të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë. Erdoğan njoftoi se takimin e këshillit do ta mbajnë në gjysmën e parë të këtij viti dhe se ministrat e jashtëm do të caktojnë datën përmes takimeve dypalëshe.
Në fjalën e tij, Erdoğan tha se në bisedë kanë vlerësuar edhe luftën kundër organizatës terroriste FETO.
"Siç e dinë, kjo organizatë terroriste kreu një përpjekje për grusht shteti të dështuar me 15 korrik 2016 duke vendosur në objektiv demokracinë tonë. Këto fatkeqësisht në mënyrë të ulët martirizuan 251 njerëz gjatë aktit terrorist të cilën e mposhtëm falë rezistencës së popullit tonë. Kjo strukturë, e cila ka gjakun e të pafajshmëve në duart e saj, përbën kërcënim të madh jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend ku ka prani. Fakti që FETO mund të gjejë ende hapësirë aktiviteti në Shqipërinë mike dhe vëlla, lëndon thellë kombin tonë i cili ka dhënë dëshmorë bijtë e tij. Është pritshmëria jonë e sinqertë që në të ardhmen të ndërmerren hapa më konkretë, më të vendosur dhe me të shpejtë kundër strukturimit të FETO-s në Shqipëri", deklaroi Erdoğan.
"Dëshirojmë që në një kohë të shkurtër të arrijmë objektivin 1 miliard dollarë"
Pasi vuri në dukje se gjatë bisedës diskutuan edhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, Erdoğan njoftoi se vëllimi tregtar mes dy vendeve vitin e kaluar me rreth 68 për qind u rrit në nivelin e 853 milionë dollarë dhe se tani dëshirojnë që në një kohë të shkurtër të arrijnë objektivin prej 1 miliard dollarësh.
Nëse përfshijmë kryesisht edhe shërbimet kontraktuale, Turqia do të jetë investitori më i madh në Shqipëri, tha Erdoğan.
"Shuma e investimeve tona totale është 3,5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 kompani sigurojnë punësim për rreth 15 mijë persona. Sigurisht që këto shifra nuk i gjejmë të mjaftueshme, këto duhet të arrijnë në një nivel më të mirë. Besoj se këto shifra do të rriten dhe më tej me mbështetjen e fortë që do të japin autoritetet shqiptare. Mendoj se duhet të thellojmë marrëdhëniet tona në çdo fushë dhe duhet të vazhdojmë me këtë vendosmëri rrugën tonë", u shpreh presidenti i Turqisë Erdoğan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.