
Shkup
AIDA CAKO
Në një kohë kur gjithnjë e më pak të rinj janë të interesuar për zanatet tradicionale, Damjan Ristovski dhe Sara Jakimovska nga 24-vjeç, shokë fëmijërie, po ringjallin kulturën dhe traditën maqedonase përmes punimit të kostumeve popullore dhe endjes në tezgjah, një zanat që për fat të keq, po shuhet gjithnjë e më shumë.
Ata filluan të mësojnë endjen në tezgjah në një moshë shumë të re dhe sot kanë dyqanin e tyre në qendër të Shkupit - Kostume popullore ("Narodni nosii"), ku bëjnë dhe shesin kostume, rripa, funde, qilima dhe suvenire maqedonase të frymëzuara nga tradita e pasur.
- Nga kurioziteti në një profesion për gjithë jetën
Për Damjanin, gjithçka filloi në fëmijëri, i frymëzuar nga gjyshja e tij.
"Dashuria ime për traditën dhe kostumet lindi në shtëpinë time sepse gjyshja ime ende mbante një kostum popullor dhe disi nga kurioziteti e pyeta nëse ka pasur ndonjë kostum, nëse e kishte ruajtur. Ajo u përgjigj me kënaqësi se po, se do të ma tregonte dhe unë do të shihja se si duket një kostum i vjetër popullor nga nëna e saj, si dhe kostumi i saj popullor", tha Damjani për Anadolu.