BALLKANI

Edhe pas një muaj e gjysmë përpjekjesh, Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar

Nga 96 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime

Agim Sulaj  | 31.05.2025 - Përdıtësım : 31.05.2025
Edhe pas një muaj e gjysmë përpjekjesh, Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Janë bërë një muaj e gjysmë prej 15 prillit, kur u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ky institucion legjislativ ka mbetur ende i pakonstituuar, raporton Anadolu.

Për herë të 24-të me radhë, shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështetën krijimin e një Komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propouzar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga 96 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

“Nuk kemi kuorum, seanca ndërpritet, shihemi të hënën në orën 10:30”, theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.