BALLKANI

Edhe një përpjekje e dështuar në konstituimin e Kuvendit të Kosovës

- Nga 99 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati

Agim Sulaj  | 23.06.2025 - Përdıtësım : 23.06.2025
Edhe një përpjekje e dështuar në konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - As pas përpjekjes së 36-të me radhë, nuk ka arritur të konstituohet Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Dështimi i radhës u shënua për arsyen e njëjtë, atë të mungesës së votave shumicë.

Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 99 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati.

"Ndërpritet seanca për sot, takohemi më 25 qershor 2025 në orën 11:00", tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare zhvilluan takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.

Por, në fillim të qershorit në konsultimet e presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike për zgjedhjet lokale, ata u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga Lëvizja Vetëvendosje u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.