BALLKANI

Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, nesër përpjekja e fundit para afatit të Kushtetueses

Pas votimit, kryesuesi i seancës Avni Dehari tha se meqë dje Gjykata Kushtetuese doli me vendim që të “ngrijë” funksionin e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht, do të bëjnë edhe ditën e fundit përpjekje për konstituim

Agim Sulaj  | 25.07.2025 - Përdıtësım : 25.07.2025
Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, nesër përpjekja e fundit para afatit të Kushtetueses Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

As në përpjekjen e sotme të deputetëve, të 52-tën me radhë, nuk është konstituuar Legjilsatura e Nëntë e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse në seancat e kaluara, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por të gjitha grupet parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Nga 107 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 54 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

Pas votimit, kryesuesi i seancës Avni Dehari tha se meqë dje Gjykata Kushtetuese doli me vendim që të “ngrijë” funksionin e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht, do të bëjnë edhe ditën e fundit përpjekje për konstituim.

“Si kryesues i seancës konstituive në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, seancën e radhës do ta mbajmë nesër. Për sot ndërpritet seanca. Nesër takohemi në orën 14:00”, theksoi Dehari.

Para fillimit të seancës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidate për kryetare e Kuvendit nga kjo parti, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk ka reflektim nga deputetët deri nesër kur skadon afati 30-ditor për konstituim, i vetmi opsion janë zgjedhjet.

Presidentja Vjosa Osmani tashmë është në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, pasi iu drejtua asaj me kërkesë për sqarim mbi atë se çfarë ndodhë nëse kalohet afati 30-ditor, apo data 26 korrik, pa u konstituuar Kuvendi.

Osmani gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh, gjë që sipas saj, do të nënkuptonte “pezullim të afatit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me çështjet e ngritura”. Kjo do të bënte edhe që të mos ketë nevojë që seancat të mbahen çdo 48 orë.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV-ja ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu, por pa bërë të ditura pasojat e moszbatimit të këtij afati.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın