Dështon seanca për rastin "Banjska" për shkak të problemeve teknike në Shkup
Në seancën e kaluar, ishte paralajmëruar dëgjimi i një dëshmitari nga Maqedonia e Veriut, i quajtur Goran Tanevski, i cili pritej të dëshmonte përmes video-lidhjes
Prishtinë
Seanca ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, e cila ishte paraparë të zhvillohej të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar për shkak të problemeve teknike me video-lidhjen ka njoftuar gjykata, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit zyrtar nga autoritetet kosovare të drejtësisë, Gjykata e Shkupit ka informuar autoritetet kosovare se nuk është i mundur realizimi i lidhjes përmes video-konferencës, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë.
"Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S., D.M. dhe V.T., pasi përmes Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë e ditur se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, respektivisht Gjykata e Shkupit, nuk kanë mundësi të realizojnë lidhjen me video-konferencë për datën 27 tetor 2025, për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve për dëgjimin e dëshmitarit", thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ka bërë të ditur se palët do të njoftohen me kohë për datën e re të mbajtjes së seancës.
Në seancën e kaluar, ishte paralajmëruar dëgjimi i një dëshmitari nga Maqedonia e Veriut, i quajtur Goran Tanevski, i cili pritej të dëshmonte përmes video-lidhjes. Ai ndodhej me familjen në hotelin "Rajska Banja" në Banjskë të Komunës së Zveçanit, në momentin kur ndodhi sulmi terrorist.
Tre të akuzuarit që po gjykohen për veprën penale të kryerjes së veprës terroriste janë Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviq. Ata akuzohen për pjesëmarrje në sulmin ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, duke përdorur dhunë dhe armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë.
