BALLKANI

Dështon seanca e Kuvendit të Kosovës për formimin e komisioneve parlamentare

Seanca e thirrur para seancës ku do të votohet për herë të dytë për qeverinë e re, për të cilën është mandatuar për ta udhëhequr Glauk Konjufca, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për miratimin e komisioneve parlamentare

Agim Sulaj  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Dështon seanca e Kuvendit të Kosovës për formimin e komisioneve parlamentare Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar t’i formojnë komisionet parlamentare me qëllim miratimin e disa urgjencave nacionale, raporton Anadolu.

Seanca e thirrur para seancës ku do të votohet për herë të dytë për qeverinë e re, për të cilën është mandatuar për ta udhëhequr Glauk Konjufca, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për miratimin e komisioneve parlamentare.

Këtë seancë e bojkotuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma për Kosovën dhe një pjesë e deputetëve nga komunitetet pakicë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se vendi është ballë disa sfidave të cilat kërkojnë unifikim politik në të mirë të qytetarëve dhe vendit.

Basha paraprakisht tha se bëhet fjalë për votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë prej 1 miliardë euro, Buxhetin e Kosovës për vitit 2026, buxhetin e tre komunave dhe buxhetin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

“Të procedojmë së paku me themelimin e katër komisioneve të përhershme ku në këtë mënyrë do të mundësohej votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, buxheti vjetor, buxheti i tre komunave dhe miratimi i raportit të RTK-së me çka do të mundësonte ekzekutimin e mjeteve për funksionimin e transmetuesit publik dhe pagat e punëtorëve”, tha Basha.

Deputeti i vetëm i PDK-së i pranishëm në seancë, Përparim Gruda, e konsideroi seancën me qëllim për formimin e komisioneve parlamentare antikushtetuese.

Gruda tha se asnjë kuvend nuk mund të mbajë seanca pa zgjedhur qeverinë.

“Në asnjë vend nuk lejohet që një Kuvend të mblidhet dhe të trajtojë çështje tjera përpos zgjedhjes së qeverisë. Midis konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë nuk lejohet të mbahet asnjë seancë e ndërmjetme për asnjë çështje, kjo është praktika e deritashme parlamentare e Kosovës”, tha Gruda.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u bëri thirrje deputetëve të marrin pjesë për miratimin e urgjencave nacionale ngase sipas tij ato janë domosdoshmëri dhe jo zgjedhje.

Kurti tha se qëndrimet e subjekteve të cilët nuk janë të pranishme në sallë nuk kanë alibi dhe se komisionet e përhershme duhet të formohen pavarësisht a ka qeveri apo jo.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhen sërish sot për seancë ku do të votohet mbi qeverinë e re. Shumica e partive të mëdha kanë thënë se do të marrin pjesë në këtë seancë për të votuar kundër qeverisjes së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nëse nuk votohet Glauk Konjufca për kryeministër, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale, të cilat do t’i shpallë presidentja Vjosa Osmani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın