Dështon për të 32-tën herë përpjekja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës
Nga 75 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 45 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati

Prishtinë
Ka dështuar për të 32-tën herë konstituimi i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për votimin e kreut të institucionit legjislativ, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, por të gjitha grupet parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.
Nga 75 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 45 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati.
“Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës, ndërpritet seanca dhe shihemi të martën në orën 10:00”, tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.
Nga partia e dytë më e madhe në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), vazhdimisht kanë kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje ta ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar, por nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja Haxhiu deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.
Në konsultimet e javës së kaluar të presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga Lëvizja Vetëvendosje u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.