Politikë, BALLKANI

Dështon për të 22-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Për herë të 22-të me radhë deputetët nuk i dhanë mbështetje propozimit të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, për votimin e kandidates së tyre për kryetare të Kuvendit të Kosovës

Agim Sulaj  | 27.05.2025 - Përdıtësım : 27.05.2025
Dështon për të 22-tën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t’i bëjë votat e nevojshme nga deputetët e Legjislaturës së 9-të për t’u konstituuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, raporton Anadolu.

Për herë të 22-të me radhë deputetët nuk i dhanë mbështetje propozimit të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për votimin e kandidates së tyre për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk e mbështetën krijimin e një Komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së Kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga 109 deputetët e pranishëm në sallë vetëm 54 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

"Ndërpritet seanca, më 29 maj, shihemi në orën 11:00", theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın