BALLKANI

Dështon edhe përpjekja e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati

Agim Sulaj  | 09.06.2025 - Përdıtësım : 09.06.2025
Dështon edhe përpjekja e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Janë shënuar gjithsej 29 përpjekje të dështuara për konstituimin e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përpos grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e një komisioni "ad-hoc" për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

"Ndërpritet seanca dhe vijmë më 11 qershor në orën 11:00", tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.

Kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se kjo tashmë nuk është politikë por tendencë për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

PDK-ja vazhdimisht ka kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidatin për kryetare të Kuvendit, por nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.

Në konsultimet e javës së kaluar të presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike, u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga Lëvizja Vetëvendosje u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.