Dëshmitari i Masakrës së Reçakut, Imeri: Shpresa është shumë e vogël që drejtësia do të shkojë në vend
Albert Imeri kishte arritur t'u ikte nga sytë ushtarëve dhe policëve serbë duke u arratisur nga radha e burrave dhe duke u kthyer tek vendi ku po qëndronte më herët, me fëmijët dhe gratë dhe ky ishte bërë fati i tij i mbijetesës
Shtime
AGIM SULAJ
Në fshatin Reçak, rreth një kilometër e gjysmë larg nga Komuna e Shtimës, në Kosovë, një shtresë e hollë bore ka mbuluar shtëpitë, oborret dhe rrugët, por, jo edhe kujtimet drithëruese të banorëve që trazohen çdo fillimvit për masakrën e 15 janarit 1999.
Një nga dëshmitarët e kësaj masakre dhe ngjarjeve të mesit të janarit 1999 në Reçak, Albert Imeri, ishte vetëm 16-vjeç, kur pa nga afër kufomat, pamjet e të cilëve më pas u shpërndanë në gjithë botën nga mediat e huaja dhe nxitën reagimin ndërkombëtar.
Imeri, fillimisht ishte në një shtëpi, me një dhomë me gra dhe fëmijë të fshatit, ku e kishin kategorizuar të qëndronte ushtria dhe policia serbë, por, më vonë, meqë fiziku i tij tregonte më i pjekur se i një 16-vjeçari, i kishin thënë të futej në radhën e burrave për të dalë në oborr.
Ai kishte arritur t'u ikte nga sytë ushtarëve dhe policëve serbë duke u arratisur nga radha e burrave dhe duke u kthyer tek vendi ku po qëndronte më herët, me fëmijët dhe gratë dhe ky ishte bërë fati i tij i mbijetesës, për të mbetur dëshmitar i asaj që ngjau më pas me të tjerët.
"Ne që ishim me gra, na ndanë veçmas. Unë isha atë kohë 16-vjeç por kam qenë me trup më i zhvilluar. I nxorën burrat jashtë, të tjerët i morën nga plevica dhe i nxorën në oborr duke i rrahur me drunj dhe stupca. Kanë hyrë brenda, na ndanë nga gratë, unë i fundit, polici më preku me armë dhe më tha të çohesha dhe unë. Kur dola jasht dhe i pashë duke i rrahur të tjerët, brenda pesë sekondash arrita të kthehesha brenda dhe ata nuk më panë më", tha Imeri për Anadolu.
Ai tha se qëndroi me gratë dhe fëmijët deri sa forcat serbe ndërruan pozicion por edhe këta më pas u zhvendosën në një shtëpi tjetër, pak metra më poshtë fshatit, nga ku ky, prej derës së oborrit pa me sy trupin e njërës nga viktimat që forcat serbe e morën duke e hipur në veturë dhe nga ajo ditë trupi i saj mbetet i zhdukur.
- Imeri ndihmoi edhe në zhvendosjen e viktimave nga vendet ku u vranë
Burrat po dhunoheshin nga forcat serbe në oborrin e shtëpisë ku po qëndronte Imeri, pjesa tjetër mendonte se ishin burgosur, deri të nesërmen, kur mëngjesin e 16 janarit Imeri dhe disa të tjerë panë për herë të parë trupat e tyre të vdekur në Kodrën e Bebushit.
"Unë isha me ta para se të vriteshin, domethënë më 15 janar, i njihnim se i kishim kushëri dhe bashkëfshatar. I kemi numëruar, ishin diku 23-24 të masakruar këtu. Këtu më lartë ishte Ragip Bajrami i masakruar, dy orë më herët se të tjerët, i pari i masakruar nga ky grup. Ai doli i pari të ngjitej këndej dhe ra në pritë, sepse këtu po prisnin ushtria dhe policia serbe, të cilët ja kishin nxjerrë zemrën nga trupi", tha Imeri.
Imeri, përpos si dëshmitar i trupave që u vranë dhe masakruan më 15 janar në Reçak, ishte njëri nga ata që ndihmoi edhe në zhvendosjen e viktimave nga vendet ku u vranë për në xhaminë e fshatit.
"Më 16 janar i sollëm kufomat në xhami. I vendosëm këtu sepse s'kishim ku t'i linim, edhe kjo pjesa këndej, por edhe pjesa tjetër e xhamisë kishte civilë, rreth 45 gjithsej të masakruar", thekson Imeri për Anadolu.
- Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar
Ai shton se më 17 dhe 18 janar u bë më pas rezistencë e armatosur nga trupat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët nuk lejonin që trupat e vdekur të vendosur në xhami të binin në duart e forcave serbe.
Dëshmitari Albert Imeri, thotë se shpresa është shumë e vogël që drejtësia do të shkojë në vend për atë që ndodhi në mesin e janarit të vitit 1999 në Reçak, pavarësisht se këtë vit, përvjetori i 27-të i masakrës, shënohet për herë të parë me një aktakuzë të ngritur ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte në Reçak.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ngriti për herë të parë aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për veprën penale "krim i luftës kundër popullsisë civile", lidhur me masakrën e kryer në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, më 15 janar 1999.
- Si ndodhi masakra?
Masakra që ndodhi në Reçak të Komunës së Shtimës, në qendër të Kosovës, la 45 banorë të fshatit të vrarë dhe masakruar, megjithatë, ende vetëm një person mbetet i shpallur fajtor për pjesëmarrje në këtë masakër, nga gjykatësit e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK.
Fillimisht, mëngjesin e 15 janarit 1999 rreth orës 6:45 minuta banorët e këtij fshati u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe e cila filloi të sulmojë fshatin nga pozicione të ndryshme, ndërsa pas serisë së granatimeve, trupat serbe fillojnë bastisjet nëpër shtëpi, ku banorët tentuan të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar.
Më vonë, 24 burra të renditur në rresht derisa po ecnin bashkërisht nën përcjelljen e trupave serbe, të nxjerrë nga njëra prej shtëpive të fshatit ku po fshiheshin, ekzekutohen me automatikë nga afër dhe masakrohen tek lokacioni i njohur si "Gropa e Bebushit".
Gjithsej 45 civilë shqiptarë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, gra dhe të moshuar, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme përreth fshatit.
Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Walker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.
Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur "Gropa e Bebushit", aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: "Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time".
Kjo, u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës, sepse bota demokratike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars 1999 filloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
