Dëmtohet një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës
“Është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit (bajpasit)”, ka njoftuar Policia e Kosovës
Prishtinë
Është dëmtuar nga persona të panjohur një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit që ndodhet në Komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, transmeton Anadolu.
Policia e Kosovës ka njoftuar se infrastruktura kritike e Kosovës është dëmtuar “me mjete të forta” nga persona të panjohur.
Rasti për të cilin Policia njoftoj në raportin policor 24-orësh dyshohet se ka ndodhur mes 22 dhe 25 nëntorit.
“Është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit (bajpasit)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Shefi i operativës rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka njoftuar për mediat në Kosovë se dëmi, sipas punëkryesit, arrin vlerën e 4.000 eurove.
“Punëkryesi në kanalin e Ibër-Lepencit ka raportuar se cerada-najloni i cili ka qenë i shtrirë në bajpas, i është dëmtuar. Vlera e dëmit, sipas ankuesit, është rreth 3.000-4.000 euro. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësite policore dhe kanë shikuar vendin. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe rasti është hapur si ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë’”, ka thënë Fejza, duke bërë të ditur se rasti është nën hetime.
Kanali i Ibër-Lepencit ishte sulmuar edhe vitin e kaluar, më 29 nëntor, në një sulm të cilin autoritetet kosovare e kishin konsideruar si akt terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.
Për shpërthimin e 29 nëntorit të vitit 2024, i cili konsiderohet se shkaktoi dëm rreth 400 mijë euro, Kosova e fajësoi Serbinë, por Beogradi i mohoi akuzat.
Për këtë rast, për të cilin janë arrestuar dhjetëra të dyshuar dhe janë sekuestruar armë dhe eksplozivë, Policia e Kosovës ka deklaruar më herët se janë përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë për të hedhur në erë kanalin dhe se ky ishte sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga periudha e pasluftës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
