BALLKANI

Drejtori i Policisë, Hoxha: Ka pasur fluturime të dronëve në veri të Kosovës, dyshohet se erdhën nga Serbia

Gazmend Hoxha në një deklarim për media të premten tha se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës

Agim Sulaj  | 26.09.2025 - Përdıtësım : 26.09.2025
Drejtori i Policisë, Hoxha: Ka pasur fluturime të dronëve në veri të Kosovës, dyshohet se erdhën nga Serbia

Prishtinë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të Kosovës, për të cilat dyshohet erdhën nga territori i Serbisë, transmeton Anadolu.

Hoxha në një deklarim për media të premten tha se Policia është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe po kryen monitorime të situatës.

"Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in, jemi duke bërë monitorimin për të parë se çfarë mund të bëhet", ka theksuar Hoxha.

Ai ka theksuar se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.

"Është e rrezikshme për pjesën e kufirit, por për qytetarët tanë në jug ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it", tha ai.

Hoxha tha se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.

"Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim", shtoi Hoxha.

Shkeljen e kohëpaskohshme të hapësirës ajrore të Kosovës nga dronë të Serbisë, e ka konfirmuar dy ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla tha se shkeljet e hapësirës ajrore të Kosovës nëpërmjet dronëve janë në kuadër të kërcënimeve që Serbia në vazhdimësi i bën ndaj Kosovës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın