BALLKANI

Drejtoresha e "KosovaPress"-it voton për fotografitë e vitit të Anadolu Agency

"Përmes fotove mund të tregosh më shumë sesa përmes tekstit, sepse t'i realisht analizon një ngjarje dhe sheh me sy dhe mund t’ja japësh një vlerësim ashtu se si don të përzgjedhësh ti", ka thënë Suzana Hashani-Rakovica

Agim Sulaj  | 12.12.2019 - Përdıtësım : 13.12.2019
Drejtoresha e "KosovaPress"-it voton për fotografitë e vitit të Anadolu Agency ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Drejtoresha e Agjencisë së Lajmeve "KosovaPress" në Kosovë, Suzana Hashani-Rakovica është bërë pjesë e kompeticionit me fotografitë e vitit në Anadolu Agency duke përzgjedhur tri fotografi të bëra nga fotoreporterët e AA-së.

Në kategorinë e "lajmit", Hashani-Rakovica ka zgjedhur fotografinë e protestuesve në Rripin e Gazës të cilët janë përballur me ushtrinë izraelite, nga fotoreporteri Hassan Jedi.

Kjo për arsye se ajo thotë që një gjë të tillë, përpjekjen për të ushtruar të drejtat dhe liritë themelore, e ka kaluar edhe ajo vetë por edhe populli i saj.

"Ne si vend, unë si e re, kemi përjetuar luftë e cila nuk ka qenë e lehtë në vendin tonë dhe kemi ëndërruar me dekada liri dhe pavarësi. Dhe kemi ëndërruar ta kemi një flamur tonin. Jemi nga 2008-ta shtet me ligje. Kjo të jep një emocion sepse të kujton të kaluarën tonë. Këto janë emocione të cilat edhe ne i kemi përjetuar. Dhe, besoj se edhe këta janë në kërkim të të drejtave të tyre", thotë ajo.

Hashani-Rakovica tha se fotografia ka shumë shpesh rëndësi më shumë sesa teksti, ngase teksti shumë shpesh është vlerësim i tekstshkruesit, ndërsa fotografia lë mundësinë e vlerësimit individual të ngjarjes.

Në kategorinë nga "jeta", ajo ka zgjedhur fotografinë nga fotografi Şebnem Coşkun, të foshnjës në pishinë. Ajo ka thënë se këtu ndërthuren dy gjëra me rëndësi, uji, i cili është jetë dhe fëmijët si një dhuratë e madhe për njerëzit.

Ajo gjithashtu në kategorinë e sportit, ka përzgjedhur fotografinë e Erhan Elaldı me notarin nga Turqia, Beytullah Eroğlu, e cila tha se reflekton mosdorëzim në jetë.

"Kjo tregon që duhet të jemi ne krenarë me veten tonë ashtu si jemi. Ashtu siç na ka krijuar Zoti. Të vazhdojmë me ëndrrat e tona, të mos dorëzohemi. Suksesi nuk vjen pa u munduar vetë, duke dalë e duke punuar pa qëllimin apo ëndrrën që kemi në jetë", thotë ajo.

Duke folur për bashkëpunimin me Anadolu Agency, Hashani-Rakovica thotë se bashkëpunimi është mjaft i ngushtë tash e disa vjet, ndërsa vitet e fundit janë shtuar kontaktet më të shpeshta ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të fillojnë me një bashkëpunim konkret sa i përket lajmeve midis dy agjencive.

Në votimin e sivjemë që zgjat deri më 31 dhjetor mund të merret pjesë përmes faqes së internetit "www.aa.com.tr/yilinfotograflari".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.