
Tiranë
Shqipëria ka shënuar me disa aktivitete "Ditën pa makina", që janë organizuar në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor e Shqipërisë (DPSHTRR) është bërë pjesë e shënimit të kësaj dite që organizohet në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, duke organizuar aktivitete sensibilizuese dhe të tjera kryesisht me fëmijët.
DPSHTRR në një nga sheshet dhe rrugët e Tiranës organizoi "Këndin e edukimit mbi trafikun" dhe aktivitete sportive me pjesëmarrjen fëmijëve të moshave të ndryshme, të cilët edhe u informuan mbi rregullat e qarkullimit dhe sinjalistikën rrugore, por edhe për ambientin e pastër.
Përfaqësuesit e DPSHTRR-së informuan fëmijët dhe dhanë mesazhet mbi përdorimin sa më pak të mjeteve ndotëse dhe të mundësisë së përdorimit të mjeteve që kontribuojnë për mjedisin e pastër.
Nga ana tjetër, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës u ndalua qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore në kryeqytet, në shenjë sensibilizimi për qytetarët.
Tema e këtij viti e Javës Evropiane të Lëvizshmërisë është "Transport i sigurt dhe i shëndetshëm - Transport i qëndrueshëm”, duke u sugjeruar format më ekologjike të transportit dhe mospërdorimi i panevojshëm i makinës.
Java Evropiane e Lëvizshmërisë e cila organizohet çdo vit nga datat 16-22 shtator synon përmirësimin e cilësisë̈ së jetesës duke promovuar ecjen, përdorimin e biçikletës dhe transportit publik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.