Dimal Basha zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës
Kryeparlamentari i ri i Kosovës, Dimal Basha, mori 73 vota pro, ndërsa kundër ishin 30 deputetë dhe tre abstenime
Prishtinë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është emëruar kryetar i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Zgjedhja e Bashës në pozitën e kryeparlamentarit erdhi pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje mori mbështetjen e partisë së dytë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kryeparlamentari i ri Dimal Basha mori 73 vota pro, ndërsa kundër ishin 30 deputetë dhe tre abstenime.
Pas emërimit të tij si kryetar, Basha mbajti një fjalim në foltoren e Kuvendit, ku përmendi rrugën me sakrifica të pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve të Kosovës.
"Ky institucion është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta, mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vet jeta e tyre", tha Basha.
- Një biografi e shkurtër e Dimal Bashës
Dimal Basha, sipas biografisë së publikuar nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në "John Jay College of Criminal Justice" në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin "E Drejta Penale Ndërkombëtare".
Basha gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në "Konflikt dhe Siguri" në Universitetin "The New School University" po ashtu në New York.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.
Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Emërimi i Bashës në pozitën e kryeparlamentarit vjen gjashtë muaj e gjysmë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe rreth katër muaj e gjysmë që nga fillimi i seancave parlamentare në të cilat nuk mund të votohej kryeparlamentari dhe ato më vonë i shpalli të pavlefshme Gjykata Kushtetuese.
Kuvendi i Kosovës aktualisht ka shkuar në pauzë për një orë, ndërsa do të kthehet më pas me pikën e katërt të seancës, e cila është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
