Diaspora serbe në New York me bilborde kundër Kurtit dhe Kosovës
Aleks Mitroviq foli në emër të diasporës serbe. Ai tha se duan të nxjerrin në pah situatën se "amerikanët nuk janë mjaftueshëm të njohur me gjendjen e vështirë të serbëve" në Kosovë

Prishtinë
Tre kamionë me mesazhe kundër Kosovës dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti po qarkullojnë këto ditë në rrugët jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara në New York, aty ku po mbahen seancat e Asamblesë së Përgjithshme, transmeton Anadolu.
Sipas mediumit serb "Blic", ky është një organizim nga diaspora serbe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasi "duan ta tërheqin vëmendjen për gjendjen e vështirë në të cilën jetojnë serbët në Kosovë".
Në tre kamionë u panë bilborde të krimeve të pretenduara të UÇK-së dhe ankesa se si serbët në Kosovë janë nën presion të vazhdueshëm nga "autoritetet që udhëhiqen nga Kurti".
Aleks Mitroviq foli në emër të diasporës serbe, duke thënë se duan të nxjerrin në pah situatë të kahershme dhe se "amerikanët nuk janë mjaftueshëm të njohur me gjendjen e vështirë të serbëve" në Kosovë.
"Dje, presidenti i SHBA-së Donald Trump, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së deklaroi se çështja e Kosovës, ose më saktë lufta në Kosovë, është zgjidhur. Megjithatë, sot jemi para OKB-së si përfaqësues të serbëve, për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës reale në Kosovë, e cila është ende duke vazhduar", u shpreh Mitroviq.
Ai theksoi se kjo është hera e dytë që ata kanë organizuar një aksion të tillë, i cili sipas tij, duhet të rrisë ndërgjegjësimin e amerikanëve dhe ndërkombëtarëve në lidhje me gjithçka që po përjeton popullsia serbe në Kosovë.
Megjithëse Kurti dje gjatë ditës ishte në Kosovë, në mbrëmje u raportua se ai është nisur për në SHBA, për të zhvilluar takime zyrtare atje, por që ende nuk është zbardhur qartë agjenda e takimeve të tij.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.