Dhuka: Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash që ka në zemër standardin evropian
Ministrja e Shtetit në Qeverinë e Shqipërisë dhe Kryenegociatorja me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi se viti 2026 është një vit veçanërisht i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE
Tiranë
Ministrja e Shtetit në Qeverinë e Shqipërisë dhe Kryenegociatorja me Bashkimin Evropian (BE), Majlinda Dhuka, ka deklaruar se Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash që ka në zemër standardin evropian, raporton Anadolu.
Dhuka së bashku me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat me fokus negociatat me BE-në dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Dhuka theksoi se viti 2026 është një vit veçanërisht i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.
"Në vitin 2025 Shqipëria i çeli negociatat për të gjitha fushat, siç njihet në termin e negociatave, kapitujt. Në 2026 Shqipëria do të kalojë, dhe po punon intensivisht për këtë, për t'u futur në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim me një numër të mirë fushash dhe me aspiratën e madhe që në vitin 2027 t'i kemi arritur të gjitha përgatitjet ose siç njihet në gjuhën e negociatave, kushtet për mbylljen e negociatave", tha ajo.
- Integrimi i Shqipërisë në BE është i pandalshëm
Dhuka shtoi se faza e negociatave është një punë jashtëzakonisht komplekse, por sipas saj edhe shumë pozitive sa i përket transformimit evropian të vendit, "që nga shteti, tek ekonomia dhe shërbimet për qytetarët".
"Shqipëria duhet të japë një test aftësie si në pikëpamje të vullnetit politik për reforma evropiane, ashtu edhe të aftësisë së institucioneve të veta, aftësisë teknike dhe zbatuese të standardit evropian praktikisht në shërbime dhe jetën e qytetarëve. Për këtë Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash dhe përmirësimesh që ka në zemër standardin evropian që buron si nga ligji evropian i njohur si acquis i BE-së, ashtu edhe nga praktikat më të mira të vendeve anëtare apo udhëzimet e gjykatave evropiane. Ky test aftësie në gjuhën e negociatave njihet si përmbushja e kushteve të ndërmjetme, atij progresi që qëndron midis çeljes së negociatave dhe mbylljes së tyre", tha Dhuka.
Ministri Gogu deklaroi se integrimi i Shqipërisë në BE është i pandalshëm.
Ndërkohë, ministrja Pirdeni prezantoi paketën me disa nisma ligjore që synojnë forcimin e parandalimit të korrupsionit në institucionet publike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
