Delegacioni nga Komisioni për Punë të Jashtme në Parlamentin e Turqisë takon kryeparlamentaren e Shqipërisë
Delegacioni nga Parlamenti turk, u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali dhe nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni

Tiranë
Delegacioni nga Komisioni për Punë të Jashtme në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Fuat Oktay, vazhdon vizitën në Shqipëri, raporton Anadolu.
Në ditën e dytë të vizitës, delegacioni nga Parlamenti turk, u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në selinë e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Gjithashtu delegacioni turk u prit edhe nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli dhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.
Delegacioni nga Parlamenti turk po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri në datat 29 qershor-1 korrik.
Pjesë e delegacionit të kryesuar nga ish-zëvendëspresidenti i Turqisë, Oktay, janë edhe anëtarët Ahmet Fethan Baykoç, Oğuz Üçüncü, Tali̇h Özcan, İsmail Özdemir, Metin Ergun, si dhe zyrtarë të tjerë.
Gjithashtu delegacioni turk do të takohet sot edhe me përfaqësuesit e zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri dhe stafin e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, si dhe me biznesmenë turq që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Ndërkohë, gjatë ditës së nesërme do të takohet me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.