BALLKANI

Delegacioni i BASAM-it zhvilloi takime në Kosovë

Sait tha se qëllimi i vizitës është shtimi i investimeve turke në Kosovë, duke theksuar se ekzistojnë mundësi të rëndësishme investimi

Agim Sulaj, Eren Beksaç  | 30.09.2025 - Përdıtësım : 01.10.2025
Delegacioni i BASAM-it zhvilloi takime në Kosovë Foto: Eren Beksaç/AA

Prishtinë

Një delegacion i kryesuar nga kryetari i Qendrës për Studime Strategjike të Ballkanit (BASAM), Rıfat Sait, zhvilloi një sërë vizitash dhe takimesh në Kosovë, ku u diskutuan mundësitë e investimeve, raporton Anadolu.

Sait, së bashku me delegacionin e BASAM-it, u takua me kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Delegacioni vizitoi gjithashtu Shoqatën e Esnafëve në Prizren, ku u prit nga biznesmenë lokal.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, delegacioni pati takim edhe me këshilltaren tregtare të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, Seda Ulukaya, nga e cila u informuan mbi mundësitë e investimeve dhe kuadrin ligjor aktual në Kosovë.

Po ashtu, në Prishtinë, delegacioni u takua me biznesmenë ku diskutoi veçanërisht mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.

Duke folur për Anadolu, Sait njoftoi se delegacioni i përbërë nga 15 persona, kryesisht përfaqësues të sektorit të shëndetësisë, po zhvillon vizita në vendet e Ballkanit, përkatësisht në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Ai theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit për Turqinë, duke vënë në dukje se “dera e hapjes drejt Evropës kalon përmes vendeve të Ballkanit” dhe se investimet që do të bëhen në këto vende do të mundësojnë hyrjen në këto tregje.

Sait tha se qëllimi i vizitës është shtimi i investimeve turke në Kosovë, duke theksuar se ekzistojnë mundësi të rëndësishme investimi.

Ai gjithashtu tha se ekziston potencial për investime në Kosovë për shkak të stimujve të ndryshëm të ofruar, marrëveshjes së tregtisë së lirë midis Kosovës dhe Turqisë, kostove të ulëta të logjistikës dhe fuqisë punëtore të lirë, duke shtuar se ata do të vazhdojnë të organizojnë udhëtime të tilla biznesi në të ardhmen.

Turqia ka qenë vendi nga i cili Kosova ka importuar më së shumti në tre vitet e fundit.

Marrëveshja e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Turqisë hyri në fuqi në vitin 2019.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın