BALLKANI

Carovska: Vitin e kaluar janë ndarë 1,3 miliardë denarë për masat për punësim

Zv/kryeministrja Carovska tha se plani ka një përqindje të lartë të zbatimit, që sipas saj, flet për krijimin e masave dhe programeve të definuara mirë me sektorin e biznesit, që kanë kontribuar në uljen e papunësisë

Abdula Berısha   | 17.01.2020
Carovska: Vitin e kaluar janë ndarë 1,3 miliardë denarë për masat për punësim ( Abdula Berısha - Anadolu Agency )

Shkup

Zv/kryeministrja e Maqedonisë së Veriut e angazhuar për çështjet ekonomike, Milla Carovska, në një konferencë të përbashkët për media me zv/ministren plotësuese në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijel dhe drejtoreshën e Agjencisë së Punësimit, Biljana Jovanovska, kanë prezantuar rezultatet e zbatimit të Planit operacional për programet dhe masat e punësimit për vitin 2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministrja Carovska tha se plani ka një përqindje të lartë të zbatimit, që sipas saj, flet për krijimin e masave dhe programeve të definuara mirë me sektorin e biznesit, që kanë kontribuar në uljen e papunësisë.

"Në vitin 2019, nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është ndarë një shumë rekorde prej 1.3 miliardë denarëve, që është 84 për qind më shumë sesa në vitin 2016 kur buxheti i përgjithshëm për masat operative për punësimin ishte 707 milionë denarë. Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rritjen e shkallës së punësimit tek personat e papunë, por është gjithashtu një mundësi për të mbështetur drejtpërdrejtë formimin kompanive të reja që më tej duhet të krijojnë vende të reja pune", tha Carovska.

Zv/ministrja plotësuese Shkrijel tha se Plani Operacional 2019 ishte i përqendruar kryesisht në mbështetjen dhe inkurajimin e të rinjve.

"Garancia rinore është një nga iniciativat kryesore evropiane dhe Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i vetëm që nuk është anëtar i BE-së dhe ka filluar të zbatojë Garancinë rinore. Së pari si një pilot-program në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 u zgjerua në të gjithë vendin. Ne jemi vërtet të inkurajuar pozitivisht nga rezultatet e Garancisë rinore, në vitin 2019 në këtë program u përfshinë 20.301 të rinj", tha Shkrijel.

Ajo sqaroi se me këtë program, çdo i ri brenda 4 muajve nga aplikimi në Agjencinë e Punësimit fiton mundësinë për punësim, trajnim, rikualifikim ose punë praktike.

Ndërkaq, Jovanovska, nga ana e saj, shprehu kënaqësi për interesimin e të papunëve dhe punëdhënësve për pjesëmarrje aktive në masat dhe politikat e punësimit.

"Me subvencionimin e pagave kanë krijuar 1.383 vende të reja pune. Mbështetja për punësim dhe rritjen e personave juridik ka kontribuar në hapjen e 621 vendeve të reja të punës. Po ashtu puna praktike si masë aktive u kërkua shumë nga punëdhënësit, por interesim për të kishte edhe nga të rinjtë e papunë andaj 1.697 të rinj u përfshinë në punën praktike si masë aktive”, tha Jovanovska.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.