Bëhen 30 përpjekje të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Vetëm 52 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati

Prishtinë
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituojë Legjislaturën e Nëntë edhe në përpjekjen e 30-të me radhë, raporton Anadolu.
Paraprakisht, në seancë u mbajt një minutë heshtje për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshit.
Më pas, kryesuesi i seancës propozoi krijimin e komisionit "ad-hoc" për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Vetëm 52 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
"Nuk kemi kuorum. Atëherë, ndërpritet seanca dhe vijmë më 13 qershor në orën 11:00", tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.
Kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se sot u bënë 30 shfaqje të qeverisë dhe 30 tentime për uzurpimin e vullnetit të qytetarëve.
PDK-ja vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidatin për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.
Në konsultimet e javës së kaluar të presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike, u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga Lëvizja Vetëvendosje u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.