Bullgari, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore mandatohet për të udhëhequr qeverinë e përkohshme
Andrey Gurov premton “zgjedhje të ndershme” pas pranimit të mandatit
Stamboll
Zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare të Bullgarisë, Andrey Gurov, sot pranoi mandatin për të formuar një qeveri kalimtare, sipas Agjencisë Bullgare të Lajmeve, transmeton Anadolu.
Pas caktimit nga presidentja Iliana Iotova, Gurov premtoi të veprojë me arsyetim dhe përgjegjësi si kryeministër në detyrë.
“E kuptoj sa shumë pritshmëri janë përqendruar tek ne, dhe e kuptoj detyrën — të sigurojmë zgjedhje të ndershme, të ndihmojmë njerëzit të shohin kuptimin e pjesëmarrjes dhe të votimit, dhe të punojmë pa krijuar histeri”, tha Gurov gjatë ceremonisë.
Bullgaria ka qenë pa qeveri të rregullt që nga dorëheqja e kabinetit të kryeministrit Rosen Zheljazkov më 11 dhjetor 2025, pas javësh protestash.
Në mes të dhjetorit, presidentja nisi procedurën kushtetuese për formimin e një qeverie të re, duke mbajtur konsultime me grupet parlamentare në Asamblenë Kombëtare të 51-të.
Pas tre përpjekjeve të dështuara për të krijuar një qeveri, presidentja u detyrua të emëronte një kabinet kalimtar dhe të caktonte zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda dy muajve.
Ndërkohë, ish-presidenti Rumen Radev dha dorëheqjen muajin e kaluar, duke i transferuar detyrat e tij nënpresidentes Iliana Iotova.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
