Bullgari, mjeshtërit e picave garojnë në Kampionatin e 8-të Ndërkombëtar të Picës
Kuzhinieri me origjinë turke, Iljaz Dilsizov, tha për Anadolu se "Një picë e mirë bëhet me dashuri, mjeshtëri dhe përbërës cilësorë"
Sofje
IVO RADOYKOV
Mjeshtër të picave nga e gjithë bota morën pjesë në Kampionatin e 8-të Ndërkombëtar të Picës, i cili u mbajt në kryeqytetin bullgar Sofje.
Në panairin e organizuar në qendrën e panaireve "Inter Expo Center" (IEC) në Sofje, morën pjesë shumë kuzhinierë nga Bullgaria, Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, dhe vende të tjera.
Komisioni vlerësues ndoqi me kujdes çdo detaj të procesit të përgatitjes, shtrirjes së brumit dhe punës me furrën, ndërsa juria ndërkombëtare u dha pikë kandidatëve në bazë të shijes dhe cilësisë së pjekjes së picave. Anëtarët e jurisë gjithashtu u bënë pjesëmarrësve pyetje për përbërësit dhe teknikat e gatimit që përdorën dhe më pas provuan secilën picë të sapodalë nga furra.
Kuzhinierët profesionistë që morën pjesë në kampionat garuan për të dëshmuar mjeshtërinë e tyre duke përgatitur pica brenda vetëm 12 minutave, të cilat më pas ua servirnin anëtarëve të jurisë.
- "Edhe cilësia e ujit për picën është e rëndësishme"
Kuzhinieri me origjinë turke, Iljaz Dilsizov, që drejton një restorant në qytetin Loveç të Bullgarisë, tha për Anadolu se "Një picë e mirë bëhet me dashuri, mjeshtëri dhe përbërës cilësorë".
Ai tregoi se ka filluar të merret me bërjen e picave në 14 vjet më parë si hobi dhe prej tri vitesh drejton një restorant profesional.
"Me përbërës të dobët nuk mund të bësh picë të mirë. Së pari duhet gjetur mielli i duhur dhe cilësor. Edhe cilësia e ujit që përdoret për picën është e rëndësishme. Një mjeshtër i vërtetë përdor vetëm produkte cilësore, të provuara ndër vite", tha ai.
Dilsizov shtoi se përdor vetëm produkte vendase: "I vizitoj fermat një nga një për të zgjedhur përbërësit. Në picën që prezantova këtu përdora pastërma nga viçi i qumështit dhe kaçkavall me kumbulla të zeza të thata - një produkt unik që nuk gjendet askund tjetër në botë".
Në kampionat morën pjesë shumë kuzhinierë me origjinë turke nga Bullgaria.
- Klasikja botërore "margarita"
Kenan Bilal, mjeshtër pice nga qyteti Veliki Preslav në rajonin e Shumenit në verilindje të Bullgarisë, tha se merret me pica prej 15 vitesh dhe se po merrte pjesë për herë të tretë në këtë kampionat.
Para jurisë, ai përgatiti picën tradicionale "parma" dhe tha se në pjesën tjetër të garës do të gatuajë edhe picën e njohur "napolitane".
"Pica mund të ketë shumë lloje, por e preferuara ime mbetet klasikja botërore 'margarita'. Zakonisht përgatitet vetëm me miell, ujë, kripë, domate, djathë mocarela, borzilok dhe vaj ulliri - dhe konsiderohet një klasik si në Itali, ashtu edhe në gjithë botën", tha Bilal.
Ai shtoi se Kampionati Ndërkombëtar i Picës, që mbahet për të tetin vit në Sofje, sjell së bashku mjeshtër nga vende të ndryshme. "Gjatë kësaj ngjarjeje, gjithmonë mësojmë diçka të re, shkëmbejmë ide kreative dhe përparojmë në profesionin tonë", tha ai.
Kampionati, që zgjati dy ditë në IEC, përfundoi me ndarjen e çmimeve të suksesit dhe nderit për pjesëmarrësit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
