Bruksel, mbahet takim midis kryenegociatorëve Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së
Bislimi ka deklaruar se është ende herët të ketë rezultate konkrete në bisedimet që tash udhëhiqen nga ndërmjetësi i ri i Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen

Prishtinë
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se është ende herët të ketë rezultate konkrete në bisedimet që tash udhëhiqen nga ndërmjetësi i ri i Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen, transmeton Anadolu.
Pas takimit me homologun serb, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, zv/kryeministri në detyrë i Kosovës, Bislimi, theksoi se Sorensen ka vizion të qartë si të ecet përpara.
Bislimi njoftoi për të temat që janë diskutuar në takimin trilateral dhe më pas atë bilateral me Sorensenin.
“Kemi pasur seri takimesh. Kemi filluar me një takim trilateral, i cili ishte i pari i këtij formati me Sorensenin. Ideja ka qenë që të kemi tri tema të ndryshme në takimet e sotme. Në fillim, jemi dakorduar për principet se si do të udhëhiqen takime trilaterale me Sorensenin. Jemi dakorduar me të gjitha propozimet e Sorensenit”, ka theksuar Bislimi.
Sipas tij, Sorenseni po tregon se po investon shumë që dialogu të ecë përpara.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, tha ai.
Kryenegociatori njoftoi se në pjesën kryesore të takimit trilateral kanë diskutuar se si të ecet përpara për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, megjithëse “nuk ka pasur dakordim të plotë mes palëve”.
Më tej, zv/kryeministri në detyrë i Kosovës tha se në takim vetëm me Sorensenin ka diskutuar për "personat e pagjetur, transferet financiare te qytetarët e Luginës së Preshevës, funksionalizimin e interkonjeksionit me Serbinë, menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe fushatën sistematike të dezinformatave nga ana e Serbisë".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.