Bosnjë e Hercegovina shënon Ditën e Shtetësisë
Delegacione të shumta nga nivele të ndryshme të qeverisjes, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës vendosën lule në varrezat Kovaçi në Sarajevë dhe në varrin e presidentit të parë të Republikës së BeH-së, Alija Izetbegoviq
Sarajevë
Gjatë gjithë ekzistencës së saj njëmijëvjeçare, Bosnjë e Hercegovina (BeH) ka treguar se është e pathyeshme, sepse ka bazën e vet, themelin e vet, justifikimin e vet historik, politik dhe shoqëror për ekzistencën e saj, u tha sot në Kovaçi pasi u vendosën lule me rastin e 25 nëntorit, Ditës së Shtetësisë së BeH-së, raporton Anadolu.
Delegacione të shumta nga nivele të ndryshme të qeverisjes, me rastin e Ditës së Shtetësisë së BeH-së vendosën lule në varrezat Kovaçi në Sarajevë dhe në varrin e presidentit të parë të Republikës së BeH-së, Alija Izetbegoviq. Lule vendosën, ndër të tjerë edhe kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq, anëtari i Presidencës, Denis Beqiroviq si dhe delegacione të tjera të shumta.
Në një deklaratë për gazetarët pas vendosjes së luleve, Komshiq theksoi se BeH po ecë përpara, megjithëse, siç tha ai, po ecën ngadalë, ndonjëherë shumë ngadalë, ndonjëherë në mënyrë të palogjikshme.
"Historia që çoi në luftë nuk ka mbaruar ende, çfarë do të ndodhë me BeH-në. Në një farë mënyre, tre dekada pas kësaj lufte në fund të shekullit të kaluar, ajo ende dominon skenën publike politike në BeH. Ky është problemi. Tani mund të shpresojmë që këto breza të rinj do të jenë më të mençur, më të zgjuar, më pragmatikë dhe nëse doni, më egoistë, kur bëhet fjalë për të ardhmen, të ardhmen e tyre", tha Komshiq.
Ai nënvizoi se "gjatë një mijë vjetëve, BeH ka treguar se është e pathyeshme".
"Është e pathyeshme sepse ka bazën e saj, themelin e saj, justifikimin e saj historik, politik dhe shoqëror për ekzistencën e saj. Në fund të fundit, gjithmonë ka një numër të mjaftueshëm njerëzish në BeH, shumica e të cilëve janë gjithmonë të gatshëm ta mbrojnë këtë vend në çdo mënyrë, varësisht nga situata në të cilën ndodhen", tha Komshiq.
Ai ka dërguar një mesazh urimi me rastin e Ditës së Shtetësisë për të gjithë qytetarët e BeH-së.
"Besimi në vetvete është në fakt parakushti themelor për çdo luftë dhe çdo mbijetesë. Ne duhet të besojmë në vetvete. Nëse nuk besojmë në vetvete, askush tjetër nuk do të besojë në ne. Nëse besojmë në vetvete, dhe e treguam këtë nga viti 1992 deri në vitin 1995, duke besuar në vetvete mund të bësh gjëra që në fillim dukeshin të pamundura. Prandaj, duhet të besojmë në veten tonë, të mbështetemi vetëm te vetja jonë, ekskluzivisht te vetja jonë. Dhe miqtë, nëse vijnë, janë të mirëpritur, i falënderoj, por mbi të gjitha, ka forcë brenda nesh, dhe ajo forcë duhet kërkuar brenda nesh", tha Komshiq.
Anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq tha se "ata që nuk i kuptojnë proceset dhe nuk i dinë faktet" duhet t'u jepet një përgjigje e qartë: "Ne nuk e rivendosëm shtetësinë e BeH-së në Dejton në vitin 1995. Kjo u bë në vitin 1943. Ne nuk e fituam pavarësinë e shtetit tonë në Dejton. Kjo u vendos nga qytetarët dhe popujt e BeH-së në një referendum të ligjshëm dhe demokratik".
Ai shtoi se "një politikan nga entiteti i RS-së, tani ish-president i entitetit të RS-së, na tha në fillim të këtij viti se nuk ka Gjykatë Kushtetuese të BeH-së, as Gjykatë të BeH-së, as Prokurori të BeH-së, as agjenci shtetërore dhe se nuk do të ketë shtet të BeH-së. Tani kemi rezultatin në fund të këtij viti".
"Rezultati është Gjykata Kushtetuese e BeH-së ekziston, Gjykata e BeH-së ekziston, Prokuroria e BeH-së ekziston dhe do të jetë përgjithmonë shteti i BeH-së. E vetmja gjë që mungon është se nuk është më ai politikan në pozicionin e presidentit të entitetit të RS-së. Kjo është arsyeja pse i uroj edhe një herë të gjithë qytetarët e shtetit të BeH-së për festën tonë të madhe kombëtare, Ditën e Shtetësisë së BeH-së", shtoi Beqiroviq.
BeH shënon sot Ditën e Shtetësisë, datën kur 82 vjet më parë u mbajt Seanca e parë e Këshillit Kombëtar Antifashist të Çlirimit Popullor të BeH-së.
Shënimi i 25 nëntorit, Ditës së Shtetësisë së BeH-së filloi sot në mëngjes me ngritjen e flamurit shtetëror në kodrën Hum të Sarajevës, e shoqëruar me intonimin e himnit kombëtar të vendit.
