"Bordi i Paqes", Kryeministri Kurti: Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe kudo në botë
"Sa i përket Gazës ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si qeveri dhe ky është një proces që do të vazhdojë edhe në vijim", deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti
Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë, teksa e ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, nismë e presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të planit për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.
Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, një javë pas nënshkrimit të marrëveshjes nga presidentja Vjosa Osmani në prani të presidentit Trump në Davos të Zvicrës, Kurti tha se Kosova filloi së pari me pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit ku është përfaqësuar në konferencën në Doha në Katar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, gjatë dhjetorit 2025.
"Unë jam kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin e tretë, por kudo që ka nevojë për paqe në botë ne dëshirojmë të kontribuojmë, sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare, andaj tash duam të marrim pjesë me forcat tona e kapacitetet tona edhe në paqe në vende të ndryshme të botës. Sa i përket Gazës ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si qeveri dhe ky është një proces që do të vazhdojë edhe në vijim", deklaroi Kurti.
Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, nëpërmjet të cilit SHBA-ja synon zgjidhjen e konflikteve globale me fokus mbikëqyrjen e udhëheqjes në Rripin e Gazës.
