BALLKANI

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku shpërblehet nga shteti për suksesin e arritur në Turqi

Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, në emër të Qeverisë së Kosovës i ka dhuruar bosksieres Donjeta Sadiku shpërblimin në vlerë prej 14 mijë eurosh, ndërsa trajneres Mariola Sallauka shpërblim në vlerë prej 7 mijë eurosh

Agim Sulaj  | 23.05.2022 - Përdıtësım : 24.05.2022
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku shpërblehet nga shteti për suksesin e arritur në Turqi Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) e Kosovës ka organizuar ceremoni për dhënien e shpërblimit shtetëror për boksieren Donjeta Sadiku e cila fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit të Femrave që u mbajt në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku, në emër të Qeverisë së Kosovës i ka dhuruar bosksieres Donjeta Sadiku shpërblimin në vlerë prej 14 mijë eurosh, ndërsa trajneres Mariola Sallauka shpërblim në vlerë prej 7 mijë eurosh.

Me këtë rast, ministri Çeku tha se fitorja e Sadikut është moment historik për Kosovën, ndërsa suksesi i saj ka qenë i pritshëm.

"Është një moment edhe historik për vendin tonë por edhe për sportin, veçanërisht për boksin, e në këtë rast ajo që po na bën veçanërisht të lumtur është që vajzat e Kosovës po na bëjnë që të mburremi në gjithë botën, që flamuri i Kosovës të ngrihet në organizimet më të rëndësishme ndërkombëtare", theksoi Çeku.

Boksierja Donjeta Sadiku tha se shpreson që medalja e fituar në kampionatin që u mbajt në Stamboll të mos jetë e fundit. Ajo u shpreh optimiste se do t’i sjellë Kosovës edhe medalje olimpike.

"Qëllimi im kryesor është suksesi olimpik në Paris 2024, po besoj shumë që do të kualifikohem dhe të sjell edhe medalje olimpike ashtu sikurse ka sjellë xhudo në Kosovë", tha Sadiku.

Boksierja Donjeta Sadiku më 18 maj u ndal në vendin e tretë në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të Boksit të Femrave, pasi u mposht nga boksierja amerikane Rashida Ellis në kategorinë -60 kilogramë duke u radhitur e treta në këtë kampionat.

Kjo fitore u konsiderua edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) si historike, për shkak se boksi kosovar i senioreve femra nuk kishte marrë medalje nga viti 1978.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.