BALLKANI

Bizneset turke nga industria e metalit zhvillojnë në Prishtinë takime me bizneset nga Kosova

Ky është rasti i parë që Organizata e Eksportuesve të Metaleve të Stambollit (İDDMİB) viziton Kosovën, një pjesëmarrje e cila ka për qëllim krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe zgjerimin e horizonteve tregtare

Agim Sulaj  | 12.09.2025 - Përdıtësım : 12.09.2025
Bizneset turke nga industria e metalit zhvillojnë në Prishtinë takime me bizneset nga Kosova Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Rreth 20 përfaqësues të bizneseve të industrisë së metalit nga Turqia zbarkuan sot në Prishtinë me mision tregtar për të ofruar takime të drejtpërdrejta me biznese simotra nga Kosova, raporton Anadolu.

Ky është rasti i parë që Organizata e Eksportuesve të Metaleve të Stambollit (İDDMİB) viziton Kosovën, një pjesëmarrje e cila ka për qëllim krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe zgjerimin e horizonteve tregtare.

Në hapjen e kësaj ngjarje morën pjesë përfaqësues të bizneseve turke dhe kosovare, Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna dhe të interesuar të tjerë.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Angılı tha se Kosova nuk është vetëm një partnere dhe një mike, por edhe një vend që e konsiderojnë vëllazëror.

"Falë këtyre lidhjeve vëllazërore, marrëdhëniet tona ekonomike me Kosovën po zhvillohen në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale. Investimet turke në Kosovë arrijnë në mbi 500 milionë euro, afërsisht 5 për qind e produktit kombëtar bruto të Kosovës. Kompanitë turke në Kosovë ofrojnë mundësi punësimi për më shumë se 10 mijë shtetas kosovarë dhe kontribuojnë në kapacitetin eksportues të Kosovës", u shpreh ambasadori turk.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna tha se parakushtet për bashkëpunimin e Kosovës me Turqinë në industrinë e metalit janë shumë të volitshme.

"Të dyja, Kosova dhe Turqia janë shtëpia e kompanive shumë të forta dhe të mira në konstruksion dhe industrinë e metalit. Në fakt, OEK-u ka më shumë se 13 shoqata në sektorë të ndryshëm dhe dy nga më të fortat janë pikërisht në këta dy sektorë", tha Rafuna.

Për bizneset vendore, ngjarja shihet si një platformë për të hyrë në rrjete të reja, për të përfituar nga teknologjitë bashkëkohore për nisma e bashkëpunime afatgjata.

Takimet Biznes-me-Biznes gjatë kësaj ngjarjeje, u ofruan mundësinë e drejtpërdrejtë bizneseve kosovare të kuptojnë më për potencialin e bashkëpunimit në sektorë strategjikë si ndërtimi, materialet e ndërtimit, produktet e hekurit dhe aluminit, automotivi, veglat e punës dhe prodhimit industrial, energjisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın