BALLKANI

Bizneset e mëdha kosovare bllokojnë hyrjet në qytetin e Prishtinës

Bizneset po protestojnë kundër daljes në treg të hapur të energjisë, ku thonë se do të paguajnë çmim trefish më të shtrenjtë

Agim Sulaj  | 29.05.2025 - Përdıtësım : 30.05.2025
Bizneset e mëdha kosovare bllokojnë hyrjet në qytetin e Prishtinës Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Bizneset e mëdha në Kosovë, kanë protestuar duke bllokuar hyrjet kryesore në qytetin e Prishtinës, të pakënaqur me vendimin që ata të dalin në treg të hapur energjetik nga 1 qershori 2025, raporton Anadolu.

Në lagjen "Lakrishte" të Prishtinës ashtu sikurse edhe në anë tjera të qytetit, u vendosën disa kamionë për bllokimin e rrugëve, derisa vetëm një shirit i rrugëve është lënë i lirë për qarkullim.

Ky bllokim pritet të zgjasë për dy orë, nga ora 10:00 deri në ora 12:00.

Bizneset po protestojnë kundër daljes në treg të hapur të energjisë, ku thonë se do të paguajnë çmim trefish më të shtrenjtë.

Për protestën më herët foli edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se për të mbrojtur 1 për qind të ndërmarrjeve më të fuqishme në kurriz të 99 për qindëshit dhe të familjeve anembanë Kosovës "ata po duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës, por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar".

Kurti u bëri thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë në mënyrë të mençur për efiçiencën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë.

Bizneset kanë paralajmëruar masa të tjera nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Nga 1 qershori, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të gjitha bizneset e mëdha, apo rreth 1.200 ndërmarrje, do të dalin nga skema e tarifave të rregulluara dhe do të futen në tregun e lirë.

Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.