Bislimi: Kosova nuk ka shënjestruar asnjë institucion shëndetësor në komunat veriore
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se askush nuk e kupton kuptimin juridik të termit të përdorur shpesh “institucione të drejtuara nga Serbia në Kosovë”.

Prishtinë
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova nuk ka shënjestruar asnjë institucion shëndetësor që operon në katër komunat në veri të vendit, as ato të paligjshme të themeluara nga Serbia, transmeton Anadolu.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social amerikan X, Bislimi ka thënë se askush nuk e kupton kuptimin juridik të termit të përdorur shpesh “institucione të drejtuara nga Serbia në Kosovë”.
“Përkundrazi, Kosova është duke punuar në një zgjidhje për përfshirjen e tyre në kuadrin tonë ligjor, duke siguruar që të mos ketë ndërprerje në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe që stafi shëndetësor të akomodohet në mënyrën më të përshtatshme të mundshme”, shkroi Bislimi.
Tutje, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës tha se inspektorët lokalë të tregtisë në Mitrovicën e Veriut e kanë mbyllur përkohësisht veprimtarinë e një fondi që lëshonte në mënyrë të paligjshme fatura dhe kryente transaksione, deri në dorëzimin e provave përkatëse.
“Po, të gjithë jemi vërtet të impresionuar nga aftësia e Serbisë për të manipuluar opinionin publik përmes prodhimit masiv të lajmeve të rreme, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që ato të trajtohen thjesht si mjete propagandistike dhe asgjë më shumë”, shtoi Bislimi.
Më 12 shtator, inspektorët nga Mitrovica e Veriut në asistencë me zyrtarët e Policisë së Kosovës, pas inspektimeve, pezulluan përkohësisht punën e zyrave të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale në Mitrovicë të Veriu, të cilat funksiononin sipas sistemit të Serbisë.
Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor.
Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë ende sipas sistemit të Serbisë.
Për këto veprime, autoritetet kosovare ishin kritikuar nga Bashkimi Evropian.
“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së”, kishte thënë BE-ja në reagim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.