Bislimi: Integrimi në BE mbetet për Kosovën orientim strategjik
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim nga ministri i Shtetit për Evropë i Gjermanisë, Gunther Krichbaum
Prishtinë
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim në Berlin nga ministri i Shtetit për Evropë i Gjermanisë, Gunther Krichbaum, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, Bislimi e informoi ministrin Krichbaum mbi ecurinë ekonomike dhe progresin demokratik të Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, rritjen e prodhimtarisë, si dhe sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit.
Rreth procesit të integrimit evropian, Bislimi shprehu rëndësinë e pranimit të pyetësorit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, i cili hap rrugë për bashkëpunim dhe përafrim më të ngushtë me BE-në dhe avancimit të perspektivës evropiane.
Bislimi shtoi se integrimi në BE mbetet për Kosovën orientim strategjik dhe aspiratë kyçe, ndërsa mbështetja qytetare për anëtarësimin në BE vijon të mbetet më e larta në rajon.
Krahas avancimit të rrugëtimit drejt BE-së, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosoës theksoi edhe rëndësinë e përfundimit të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Në takim u bisedua edhe mbi aktualitetin në vend, situatën në rajon, dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Sipas njoftimit, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ministrin Krichbaum për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës. Prezent në takim ishte edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
