Bie bora e parë në disa zona të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë në orët e fundit nga reshje të borës dhe shiut në disa zona
Tiranë/Prishtinë/Shkup
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë në orët e fundit nga reshje të borës dhe shiut, duke regjistruar edhe borën e parë për këtë vit, transmeton Anadolu.
- Shqipëria përfshihet nga reshjet e borës dhe shiut në disa zona
Shqipëria është përfshirë në orët e fundit nga reshjet e borës dhe shiut në disa zona. Reshjet e borës kanë përfshirë disa zona malore në qarqet Kukës, Shkodër dhe Lezhë, ndërkohë vendi është përfshirë edhe nga reshjet e shiut.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në rrjetet sociale ka shkruar se bora e parë ka ardhur herët këtë vit në Shqipëri.
"ARRSH (Autoriteti Rrugor Shqiptar) dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë plotësisht të përgatitura, pavarësisht se mirëmbajtja dimërore nis më 15 nëntor sipas rregullores", ka theksuar Balluku.
Ndërkohë, sipas Autoritetit Portual Durrës, për shkak të kushteve të motit në Detin Adriatik, lundrimet e parashikuara për ditën e sotme në linjën Durrës–Bari dhe Bari–Durrës janë anuluar.
Sipas Institutit të Gjeoshkenacve të Shqipërisë, sot dhe nesër në verilindje të vendit në lartësitë mbi 1.000 metra nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
"Sot dhe nesër priten reshje mesatare në qarqet Korçë dhe Gjirokastër të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Berat dhe Vlorë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare", thuhet nga instituti.
- Bie bora e parë edhe në Kosovë
Muaji tetor ka sjellë borën e parë të këtij sezoni në zonat malore të territorit të Kosovës.
Mëngjesi i 2 tetorit zbardhi Bjeshkët e Sharrit dhe ato të rajonit të Dukagjinit pas reshjeve të dendura të borës në orët e fundit.
Qytetarët kanë shpërndarë në rrjete sociale fotografi nga vendi i ngjarjes, ku Brezovica, Prevalla, Brodi si dhe zona e Strellcit në Komunën e Deçanit ka rënë borë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar më herët për mundësinë e reshjeve të borës në fillim të tetorit në viset malore.
Ndërkohë, në zonat e ulëta moti po shoqërohet kryesisht me shi.
- Bora e parë në rajonet më të larta të Maqedonisë së Veriut
Pas reshjeve të shiut, i cili po bie në pjesët më të ulëta pothuajse në të gjithë rajonin e vendit, reshjet e para të borës janë regjistruar në qendrat turistike Kodra e Diellit dhe Mavrovë, si dhe në vendbanimet më të larta në rajonin e Dibrës.
Autoritetet për mirëmbajtjen e rrugëve kanë apeluar se trafiku në këto pjesë të vendit po zhvillohet pa probleme, por rekomandojnë ngarje të kujdesshme për shkak të rrugëve me lagështi dhe rrëshqitjeve të dheut, veçanërisht në rajonin e Dibrës.
Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë së Veriut (UHMR) njoftoi se moti sot do të jetë me vranësira dhe i ftohtë me reshje shiu, të cilat në pjesët më të larta të vendit do të shndërrohen në borë. Temperatura minimale do të jenë në intervalin 6 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa maksimale do të arrijë në 7 deri në 13 gradë Celsius.
Nga e shtuna, pritet që moti të jetë më i qëndrueshëm me temperatura të ulëta të mëngjesit, ndërsa temperaturat e ditës do të rriten.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
