BALLKANI

Betohen kryetarët nga Lista Serbe në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

Në Mitrovicë të Veriut Lista Serbe do të qeverisë me Milan Radjoviqin, në Zubin Potok me Milosh Peroviqin, në Zveçan me Dragisha Miloviqin, ndërsa në Leposaviq me Zoran Todiqin

Agim Sulaj  | 05.12.2025 - Përdıtësım : 05.12.2025
Betohen kryetarët nga Lista Serbe në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës

Prishtinë

Kryetarët e zgjedhur serbë kanë marrë detyrat në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, transmeton Anadolu.

Me betimin e kryetarëve të rinj, zyrtarisht, partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, ka rikthyer udhëheqjen në këto komuna.

Në Mitrovicë të Veriut ajo do të qeverisë me Milan Radjoviqin, në Zubin Potok me Milosh Peroviqin, në Zveçan me Dragisha Miloviqin, ndërsa në Leposaviq me Zoran Todiqin.

Para fillimit të inaugurimeve, në sallat e katër Kuvendeve Komunale janë parë flamujt e Kosovës dhe fotografia e presidentes Vjosa Osmani.

Milosh Peroviq gjatë betimit si kryetar i ri i Komunës së Zubin-Potokut tha se do ta ushtrojë detyrën e tij me ndershmëri dhe besnikëri që t’i siguroj Komunës së Zubin Potokut kushte më të mira.

Edhe kryetari i Zveçanit, Dragisha Miloviq, gjatë betimit tha se përpara i presin sfida, por ka shtuar se duhet të ruhet paqja e siguria në komunë.

"Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, ka thënë Miloviq derisa ka shtuar se do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet në Prishtinë si dhe me KFOR-in, EULEX-in, OSBE-në dhe mediat.

Autoritetet kosovare deklaruan paraprakisht se nëse nuk respektohen simbolet dhe rregullat e betimit të kryetarëve serbë, do t’i shpallin të pavlefshme ato gjatë ditës.

Këto komuna deri tani kanë qenë nën udhëheqje të kryetarëve shqiptarë, pas dorëheqjes që dhanë ish-kryetarët e Listës Serbe në nëntor të vitit 2022.

Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq ishin zgjedhur kryetarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.