Besimtarët muslimanë të vendeve të rajonit shënojnë Natën e Kadrit
Ashtu si në të gjitha vendet e botës, edhe në vendet e rajonit pjesa dërmuese e besimtarëve muslimanë këtë natë e kalojnë në lutje dhe adhurim, lexim të Kur’an-it, si dhe qëndrim në xhami
Shkup / Tiranë / Prishtinë
Besimtarët muslimanë në mbarë botën shënojnë Natën e Kadrit, duke mbushur xhamitë për të kryer lutje dhe namaz, raporton Anadolu.
Ashtu si në të gjitha vendet e botës, edhe në vendet e rajonit pjesa dërmuese e besimtarëve muslimanë këtë natë e kalojnë në lutje dhe adhurim, lexim të Kur’an-it, si dhe qëndrim në xhami.
Në shumë qytete të rajonit u pa pjesëmarrje e madhe e besimtarëve, të cilët mbushën xhamitë, ndërsa në disa vende u fal edhe në oborre e hapësira përreth.
Në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut besimtarë të shumtë mbushën xhamitë për të kryer lutje dhe namaz për të shënuar Natën e Kadrit. Ndër to, edhe Xhamia e Shkupit, e ndërtuar nga Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV), ishte e stërmbushur me besimtarë, shumë prej të cilëve u rreshtuan edhe në hapësirat e jashtme të xhamisë.
Në kryeqytetin kosovar Prishtinë shumë besimtarë u tubuan edhe në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” për të kryer ritualet fetare. Për shkak të numrit të madh të besimtarëve, përveç hapësirave të brendshme të xhamisë, besimtarët falën namazin edhe në oborrin dhe hapësirat përreth saj.
Edhe në qytetet e Shqipërisë besimtarë të shumtë muslimanë kanë mbushur xhamitë për të falur namazin me rastin e kësaj nate të shenjtë. Xhamia e Namazgjasë në kryeqytetin Tiranë gjithashtu ishte e mbushur me besimtarë, të cilët kanë falur së bashku namazin, duke shënuar Natën e Kadrit.
Xhamia e Namazgjasë, e ndërtuar nga Turqia, është hapur më 10 tetor të vitit 2024 me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Namazi me rastin e Natës së Kadrit u fal gjithashtu në xhami në vende të tjera të rajonit, përfshirë Bosnjë e Hercegovinën, si dhe në Beograd të Serbisë, ku besimtarë të shumtë u mblodhën për lutje dhe adhurim.
Kjo natë është një nga netët më të rëndësishme të kalendarit islam dhe besohet se është nata kur u shpall për herë të parë Kur'ani. Sipas mësimeve islame, kjo natë konsiderohet më e vlefshme se një mijë muaj dhe ajo bie në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, muajit më të rëndësishëm të kalendarit islam që është në përfundim.
Gjatë kësaj nate, besimtarë qëndrojnë nëpër xhami deri në orët e vona të natës duke lexuar Kur'an dhe duke falur namaz.
