Belgjika do të hapë ambasadë në Shqipëri
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prevot tha se vendi i tij do të hapë disa ambasada, përfshirë në Tiranë
Tiranë
Belgjika ka njoftuar se do të hapë ambasadë në Shqipëri, raporton Anadolu.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim i Belgjikës, Maxime Prevot bëri të ditur se vendi i tij do të hapë disa ambasada, përfshirë në Tiranë.
Gjithashtu, Belgjika do të mbyllë tetë misione diplomatike si pjesë e një ristrukturimi të madh të përfaqësimit të saj të jashtëm që synon ta bëjë rrjetin diplomatik të vendit "më të gjerë, më elastik dhe të orientuar drejt së ardhmes".
Vendimi u mor pas asaj që Prevot e përshkroi si shqyrtimin e parë gjithëpërfshirës të pranisë diplomatike globale të Belgjikës në më shumë se një dekadë, sipas një deklarate. Reforma përfshin hapjen e pesë posteve të reja dhe forcimin e rreth 20 misioneve ekzistuese.
Sipas planit, Belgjika do të mbyllë misionet e saj në Sarajevë (Bosnjë e Hercegovinë), Konakri (Guinea), Bamako (Mali), Maputo (Mozambik), Havanë (Kubë), Rio de Janeiro (Brazil), Guangzhou (Kinë) dhe Kuvajt Siti (Kuvajt).
"Këto mbyllje në asnjë mënyrë nuk e zvogëlojnë rëndësinë që i kushtojmë ruajtjes së marrëdhënieve dypalëshe me vendet përkatëse. Ky nuk është fundi i marrëdhënieve tona diplomatike me to", tha Prevot duke shtuar se marrëdhëniet do të vazhdojnë përmes ambasadave rajonale ose të dërguarve të posaçëm.
Prevot tha se shërbimet konsullore për qytetarët belgë do të mbeten të arritshme, duke shtuar se postet e planifikuara për mbyllje do të marrin mbështetje gjatë tranzicionit midis viteve 2026 dhe 2027.
Ministria tha se kursimet e gjeneruara nga mbylljet do të riinvestohen në forcimin e misioneve me personel të pamjaftueshëm dhe krijimin e një grupi "diplomatësh fluturues" që mund të vendosen shpejt gjatë krizave ose mungesave të përkohshme të stafit.
Krahas Tiranës, Belgjika do të hapë ambasada të reja edhe në Windhoek (Namibi), Muscat (Oman) dhe Tashkent (Uzbekistan), dhe do të emërojë përfaqësues të përhershëm në Unionin Afrikan si vëzhgues në Addis Ababa, Etiopi.
Sipas planit, do të emërohet gjithashtu një ambasador për Sirinë, me banim në Bejrut, kryeqytetin e Libanit.
- Spiropali: Shqipëria mirëpret vendimin e Belgjikës për të hapur ambasadë në Tiranë
Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se mirëpresin vendimin e Belgjikës për të hapur ambasadë në Tiranë.
Në një reagim në rrjetet sociale, duke iu drejtuar homologut të saj Prevot, Spiropali ka theksuar se Shqipëria mirëpret ngrohtësisht vendimin e Belgjikës për të hapur ambasadën e saj në Tiranë.
"Një hap i rëndësishëm që forcon lidhjet tona dypalëshe dhe mbështet rrugën tonë drejt BE-së.
Partneritetet e forta evropiane formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët", është shprehur kryediplomatja e Shqipërisë.
- Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Belgjikës u vendosën në vitin 1924
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Belgjikës u vendosën në vitin 1924 dhe vazhduan në periudhën e Mbretit Zog, për t'u ndërprerë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas vitit 1945 kontaktet mes vendeve kanë qenë sporadike dhe pas fillimit të viteve 90, marrëdhëniet mes dy vendeve sipas ministrisë "patën një zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë".
Autoritetet shqiptare i cilësojnë si "shumë të mira" marrëdhëniet dypalëshe politike mes Shqipërisë dhe Belgjikës.
