BeH, të paktën 11 persona humbën jetën nga zjarri në një shtëpi për të moshuarit në Tuzlla
Zjarri u shua pas disa orësh ndërhyrjeje të zjarrfikësve ndërsa po zhvillohen hetime për të zbardhur shkaqet e aksidentit
Tuzlla
Të paktën 11 persona humbën jetën dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën në një zjarr të madh që shpërtheu në katin e shtatë të shtëpisë për të moshuar në Tuzlla mbrëmë rreth orës 20:45, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve fillestare, midis të plagosurve ka policë, zjarrfikës, punonjës mjekësorë dhe punonjës të institucionit që morën pjesë në evakuimin e përdoruesve dhe ofrimin e ndihmës për banorët. Të gjithë të lënduarit po marrin kujdes mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Tuzllës.
Trupat e viktimave do të transferohen në Qendrën Përkujtimore të Tuzllës për identifikim dhe autopsi. Një hetim në vendngjarje do të kryhet kur kushtet e sigurisë ta lejojnë këtë, dhe një hetim për shkaqet e zjarrit është duke u zhvilluar.
Zjarri u shua pas disa orësh ndërhyrjeje nga zjarrfikësit nga Tuzlla, me ndihmën e kolegëve nga Srebreniku dhe departamenteve vullnetare të zjarrfikësve nga Tuzlla e Epërme. Në operacion morën pjesë gjithashtu oficerë policie, ekipe të Shërbimit të Ambulancës së Tuzllës dhe stafi mjekësor nga qendrat shëndetësore nga Llukavaci, Srebreniku dhe Kalesia.
Kryetari i Komunës së Tuzllës, Zijad Llugaviq, ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm për sot në mëngjes, në të cilin shërbimet kompetente do të paraqesin informacione të reja rreth rrethanave të zjarrit, numrit të viktimave dhe gjendjes së të plagosurve.
Më shumë detaje priten gjatë ditës pas përfundimit të hetimit dhe deklaratave zyrtare nga institucionet kompetente.
