BALLKANI

Begaj: Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Presidenti Begaj ka pritur sot në një takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku në rrjetet sociale ai ka theksuar se kanë patur në fokus të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballen

Fatjon Cuka  | 12.03.2026 - Përdıtësım : 12.03.2026
Begaj: Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës Burimi: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, transmeton Anadolu.

Presidenti Begaj ka pritur sot në një takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku në rrjetet sociale ai ka theksuar se kanë patur në fokus të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballen.

"Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë", ka theksuar Begaj.

Ndërkohë, në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se biseda u fokusua në çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Preshevës, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore që u takojnë, si edhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik të tyre.

“Do të vijoj të bëj prezent në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në të gjitha takimet e mia me partnerët shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mbrojtje të të drejtave të tyre”, është shprehur Begaj.

Sipas njoftimit, në takim u theksua angazhimi i Shqipërisë "në betejën kundër pasivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi", e cila sipas Presidencës së Shqipërisë "sjellë mohimin e të drejtave themelore të tyre, nga e drejta e votës, deri te kujdesi shëndetësor, arsimimi dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e vendit ku jetojnë".

"Kreu i Shtetit përgëzoi gjithashtu futjen në progres raportin e Bashkimit Evropian të problematikave në Luginë, përpjekjet për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pranimin e padisë nga ky organizëm për pasivizimin e adresave, si një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë mbi respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë në Serbi. Po ashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi sensibilizimin që po i bëjnë kësaj çështjeje ligjvënësit amerikanë, të cilët po kërkojnë shqyrtimin e këtyre shqetësimeve nga DASH", thekson njoftimi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.