Begaj: Shqipëria dhe Jordania, dy vende që ndajnë vlera të përbashkëta dhe një angazhim të qartë për stabilitet
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar vizitë shtetërore në Jordani me ftesë të Mbretit Abdullah II, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit
Tiranë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se Shqipëria dhe Jordania janë dy vende që ndajnë vlera të përbashkëta dhe një angazhim të qartë për stabilitet dhe dialog, transmeton Anadolu.
Presidenti Begaj ka zhvilluar vizitë shtetërore në Jordani me ftesë të Mbretit Abdullah II, ndërkohë është takuar me zyrtarë të lartë të vendit.
Në lidhje me vizitën, Begaj ka shkruar në rrjetet sociale se me Mbretin Abdullah II riafirmuan "marrëdhëniet shumë të forta midis Shqipërisë dhe Jordanisë".
"Shprehëm vendosmërinë tonë për të thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Shqipëria dhe Jordania janë dy vende që ndajnë vlera të përbashkëta, një qasje të moderuar ndaj politikës ndërkombëtare dhe një angazhim të qartë për stabilitet dhe dialog", ka shkruar Begaj.
Ndërkohë, në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se kjo vizitë do t'i japë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do të shërbejë për ta konsoliduar bashkëpunimin politik, ekonomik, atë të sigurisë si dhe zgjerimin në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.
"Krerët e dy shteteve theksuan rëndësinë e avancimit të agjendës së përbashkët të bashkëpunimit, ndërsa shprehën vullnetin për ta çuar përpara partneritetin e ndërtuar mbi respekt reciprok, miqësi të qëndrueshme dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Gjatë takimit mes tyre u shpreh vendosmëria për të shndërruar mundësitë në arritje përmes rritjes së investimeve. Presidenti Begaj vlerësoi se ekziston potencial i konsiderueshëm për të forcuar dimensionin ekonomik të bashkëpunimit dhe zhvillimit të turizmit, duke theksuar rëndësinë që ka në këtë drejtim vendosja e një linje të drejtpërdrejtë ajrore midis dy vendeve", thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se pjesë e diskutimeve ishte dhe Lindja e Mesme, "për të cilën dy udhëheqësit ndanë bindjen se dialogu dhe zgjidhjet paqësore mbeten rruga e vetme për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të konfliktit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".
Gjatë vizitës, Begaj është takuar edhe me kryeministrin e Jordanisë, Jafar Hassan.
