BALLKANI

Begaj dhe Rama urojnë Albin Kurtin për fitoren në zgjedhje

"Uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona", ka shkruar Rama në mesazhin e tij të urimit

Fatjon Cuka  | 29.12.2025 - Përdıtësım : 29.12.2025
Begaj dhe Rama urojnë Albin Kurtin për fitoren në zgjedhje Foto: Erkin Keçi/AA

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama, kanë publikuar mesazhe urimi për kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, pasi LVV doli e para në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën të dielën në Kosovë, sipas të dhënave paraprake, transmeton Anadolu.

Begaj ka publikuar mesazhin e tij në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, duke theksuar se uron që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale.

"Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin. Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t'i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane", ka shkruar Begaj.

Edhe kryeministri Rama ka publikuar një mesazh urimi në X, duke theksuar se uron që mandati të kthehet në sukses për Kosovën.

"E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar", ka shkruar Rama.

LVV-ja doli partia më e madhe nga rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ). Nga numërimi i mbi 99 për qind të kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë që u mbajtën më 28 dhjetor, partia e udhëhequr nga Kurti ka marrë 49,31 për qind të votave.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın