BALLKANI

BE: Vendimi i Mitrovicës së Veriut për lirimin e ndërtesës komunale, në kundërshtim me përpjekjet për deeskalim

Zëdhënësi Peter Stano ka përsëritur thirrjen e BE-së për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës

Agim Sulaj  | 24.08.2023 - Përdıtësım : 25.08.2023
BE: Vendimi i Mitrovicës së Veriut për lirimin e ndërtesës komunale, në kundërshtim me përpjekjet për deeskalim

Prishtinë

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut për ta kërkuar lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, është në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një deklarate për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se BE-ja është e shqetësuar me implikimet e fundit në situatën e sigurisë.

“Ne jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë nga vendimet e fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre”, theksoi Stano.

Ai tha se ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa përsëriti thirrjen e BE-së për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Kjo përsëri nuk ka ndodhur me këto vendime”, theksoi Stano.

Tutje, zëdhënësi i BE-së tha se çështja e strukturave të drejtuara nga Serbia duhet të adresohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

“Edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune të prillit 2023 të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët ato nuk ofruan një zgjidhje politike. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, theksoi Stano.

Po ashtu, Stano në fund shtoi se Përfaqësuesi i Lartë për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me kryenegociatorin kosovar Besnik Bislimi janë zotuar në Bratislavë që do t’i përmbahen marrëveshjes për deeskalimin e situatës tensionuese në veri duke u “përmbajtur nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.

Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta "lirojnë" një objekt komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve dhe që aktualisht shfrytëzohet nga institucionet e Serbisë.

Si shkak për këtë vendim nga Komuna e Mitrovicës Veriore përmenden “disa punime të parashikuara që komuna do t’i kryejë në objekte të caktuara komunale”.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë ka thënë se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın