Politikë, BALLKANI

BE-ja reagon pas mbylljes së strukturave paralele serbe në Kosovë

BE-ja tha se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia në Kosovë parashihet të zgjidhet përmes procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel

Agim Sulaj  | 15.01.2025 - Përdıtësım : 15.01.2025
BE-ja reagon pas mbylljes së strukturave paralele serbe në Kosovë

Prishtinë

Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele serbe në disa rajone të vendit gjatë ditës së sotme, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të BE-së, është konsideruar se këto veprime nga ana e autoriteteve kosovare bien ndesh me detyrimet e Kosovës karshi BE-së.

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në reagimin e BE-së.

BE-ja ka përmendur edhe masat e vendosura kundër Kosovës, duke nënvizuar se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralelisht me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

BE-ja tha tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia në Kosovë parashihet të zgjidhet përmes procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel.

“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me obligimet e saj në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të fundit të saj ndaj tij”, ka thënë tutje.

Policia e Kosovës të mërkurën mbylli komunat paralele në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj, si dhe disa posta dhe zyra tatimore ilegale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas operacionit policor deklaroi se me aksionin e sotëm mori fund kapitulli i strukturave paralele serbe në Kosovë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës, derisa bëri të ditur se “nga sot, 28 komuna paralele kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.

Aksioni policor u zhvillua në bashkëpunim midis Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın