BALLKANI

"BE-ja ka investuar shumë në Kosovë dhe nuk guxon të lejojë që t'i zhgënjejë kosovarët duke i mbajtur të izoluar"

Megjithëse institucionet e vendit i kanë plotësuar 95 kriteret e vendosura nga BE-ja si kusht për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur

Agim Sulaj  | 05.07.2022 - Përdıtësım : 06.07.2022
"BE-ja ka investuar shumë në Kosovë dhe nuk guxon të lejojë që t'i zhgënjejë kosovarët duke i mbajtur të izoluar" Foto: Erkin Keçi - AA

Prishtinë

Kosovarët mbeten qytetarët e vetëm dhe të fundit në Ballkanin Perëndimor që u duhet të pajisen me vizë për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian (BE).

Megjithëse institucionet e vendit i kanë plotësuar 95 kriteret e vendosura nga BE-ja si kusht për liberalizimin e vizave për kosovarët, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ish-ministri i Integrimit Evropian në Kosovë, Bekim Çollaku, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se nuk ka një përgjigje racionale për pyetjen se përse ende nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave për kosovarët.

"Konsideroj se kjo çfarë kemi parë deri më sot, është një qasje shumë e padrejtë që i bëhet shtetit dhe popullit më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor. Izolimi i qytetarëve të Kosovës jo vetëm që është i padrejtë, mirëpo është në kundërshtimin me vet vlerat e BE-së dhe shteteve anëtare të saj", thekson ish-ministri.

Sipas Çollakut, Kosova nuk ka bërë qoftë edhe një gabim të vetëm në rrugëtimin e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, por, fatkeqësisht nga BE-ja nuk është trajtuar e barabartë me vendet tjera të rajonit.

"Kemi qenë të fundit në Ballkanin Perëndimor që kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në vitin 2012, dhe kemi qenë të vetmit që kemi pasur dyfish më shumë kritere për të plotësuar krahasuar me shtetet tjera që kanë përmbyllur këtë proces më shumë se një dekadë më parë. Ne kosovarët i kemi besuar atëherë dhe vazhdojmë t’i besojmë edhe sot BE-së, pavarësisht zhgënjimit të madh në këtë proces", thotë Çollaku duke nënvizuar se synimi i institucioneve kosovare është anëtarësimi i plotë në BE dhe në NATO.

Ai thekson se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian që nga viti 2016, respektivisht 2018, kanë kryer punën e tyre duke pranuar përmbushjen e kritereve dhe kanë dhënë rekomandimin në përkrahje të liberalizimit, por, tani mungon vetëm vendimi i Këshillit të BE-së "i cili kurdo që të ndodhë, do të jetë një vendim i mirëpritur, por, tepër i vonuar".

Çollaku thotë se shtete të caktuara të BE-së, mund të gjejnë pretekste për hezitim, mirëpo ato nuk e kanë qoftë edhe një arsye të vetme që ta prolongojnë edhe me tepër vendimin përfundimtar.

"BE-ja ka investuar shumë në Kosovë dhe nuk guxon të lejojë që t'i zhgënjejë qytetarët e Kosovës duke i mbajtur të izoluar. Prandaj, tani nuk ka më kohë për ide apo propozime të cilat riciklojnë ato që kanë ndodhur në vitin 2012. Tani është koha për vendimmarrje dhe përfundim të këtij procesi maratonik i cili ka lënë një shije të hidhur jo vetëm për politikanët dhe zyrtarët shtetëror që kanë punuar në përmbushjen e kritereve, mirëpo edhe për qytetarët më pro-evropianë të Kosovës të cilët janë të zhgënjyer tej mase me qasjen e deritanishme të BE-së dhe shteteve anëtare të saj në këtë proces", shtoi ish-ministri.

- "Sa më shumë të zgjatet procesi i liberalizimit do të jetë një padrejtësi më e madhe"

Mosliberalizimin e vizave për kosovarët e quan padrejtësi të madhe edhe kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Në një intervistë për AA-në, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Krasniqi thotë se për finalizimin e këtij procesi, sa herë ka qenë në pushtet partia e saj gjatë të kaluarës, ka punuar me përkushtim për çuarjen përpara të tij.

"Para samitit (BE-Ballkani Perëndimor) kemi parë deklaratat e krerëve që kanë qenë pozitive, mirëpo nuk ka pasur ndonjë veprim konkret. Kemi parë deklarata nga përfaqësuesit e Holandës dhe Francës mirëpo nuk pati veprime konkrete edhe pse ka pasur një pritje të madhe edhe pse shumica nga ne e kemi ditur se liberalizimi nuk kanë qenë në rend të ditës mirëpo tek qytetarët ajo ka ndikuar shumë keq ngase të gjithë dhanë deklarata optimiste dhe në fund nuk ndodhi asgjë", theksoi Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, thotë se sa më shpejtë të bëhet liberalizimi i vizave është më mirë për popullin kosovar ndërsa sa më shumë të zgjatet ky proces do të jetë një padrejtësi më e madhe.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratës që komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i BE-së, Oliver Varhelyi i cili para disa ditësh tha se Komisioni Evropian është i gatshëm që, bashkë me vendet anëtare, të përpilojë një udhërrëfyes shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Krasniqi tha se Kosovës nuk i duhen kriteret shtesë për këtë proces.

"Pas deklaratës së dhënë nga komisionari Oliver, kemi vendosur që bashkë me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, ta bëjmë një deklaratë të përbashkët të dy komisionet që Kosovës nuk i nevojitet më udhërrëfyes shtesë për kriteret e liberalizimit të vizave", bëri të ditur Krasniqi.

Ajo shton se edhe si kryetare e Komisionit për Integrim Evropian edhe si deputete e Kuvendit të Kosovës ka pasur takime me homologët në vende të ndryshme si në Kroaci dhe Suedi dhe kanë marrë gjithmonë mbështetje.

Nga samiti BE-Ballkani Perëndimor krerë të institucioneve të vendit por edhe qytetarët krijuan pritje se do të ndodhte ndonjë lëvizje përpara e procesit të liberalizimit të vizave, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Vetëm pak ditë pas këtij samiti, komisionarit për Zgjerim i BE-së, Varhelyi tha se Komisioni Evropian është i gatshëm që, bashkë me vendet anëtare, të përpilojë një udhërrëfyes shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike, por Komisioni Evropian sqaroi se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në, megjithëse që nga viti 2018, ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, pasi Komisioni ka konkluduar se i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Komisioni vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë, por janë disa vende anëtare si Franca dhe Holanda, që deri më tash kanë shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.