BALLKANI

Bashkësitë fetare në Kosovë kundër ndryshimeve ligjore që njohin martesat me gjini të njëjtë

Në deklaratën e bashkësive fetare thuhet se kundërshtimi bëhet bazuar në mësimet dhe predikimet e besimeve përkatëse si dhe kodin e vlerave të popullit shqiptar

Agim Sulaj  | 24.02.2022 - Përdıtësım : 24.02.2022
Bashkësitë fetare në Kosovë kundër ndryshimeve ligjore që njohin martesat me gjini të njëjtë Foto: Bashkësia Islame Kosovës

Prishtinë

Bashkësitë fetare në Kosovës, Bashkësia Islame, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike, njëzëri janë deklaruar kundër projektligjit për ndryshimin e Kodit Civil, përmes së cilit synohet të lejohen martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një deklarate me shkrim të nënshkruar bashkërisht nga myftiu Naim Tërnava, ipeshkvi Dodë Gjergji, pastori Femi Cakolli dhe kreu i hebrenjve Votim Demiri, është shprehur kundërshtim nisma e institucioneve ligjvënëse për ndryshimin e projektligjit për Kodin Civil.

Në deklaratën e bashkësive fetare thuhet se kundërshtimi bëhet bazuar në mësimet dhe predikimet e besimeve përkatëse si dhe kodin e vlerave të popullit shqiptar.

Këto bashkësi kanë radhitur gjashtë pika në dokumentin e kundërshtimit të kësaj nisme zyrtare, ku thuhet se ato e mbrojnë të drejtën e jetës së fetusit nga ngjizja deri në lindje dhe të drejtën e natyrshme gjinore si përcaktim për secilin qytetar.

“Ta prekёsh ripёrkufizimin e martesёs dhe tё pjesëmarrësve nё tё, pra tё burrit i lindur mashkull dhe tё gruas e lindur femёr, mendojmë se po cenohet drejtpërdrejt Fjala e vullneti i Zotit si dhe zbulesa e Tij e shenjtё pёr gjithё familjen njerëzore e cila ka nisur prej njё burri e njё gruaje me bekimin dhe urdhёrin e shumëzimit tё përjetshëm”, thuhet në këtë deklaratë.

Ato kanë bërë të ditur se mbesin të bashkuara para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, para Qeverisë dhe institucioneve tjera që të heqin dorë prej çdo ndryshimi, prej çdo ripёrkufizimi, prej çdo riinterpretimi tё neneve pёr familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve nё Kosovë.

Tutje, bashkësitë kanë shprehur mospajtim që bashkëjetesën e dy personave të gjinisë së njëjtë ta quajnë martesë e as kurorëzim, e po kështu janë shprehur kundër që këta persona të adaptojnë fëmijë.

“Shoqëria kosovare ka rrënjët e thella të vlerave dhe të përcaktimeve konservatore, dhe si bashkësi fetare deklarojmë se ndjehemi të lumtur me këtë realitet, dhe angazhimi ynё ёshtё qё t’ua pasojmё brezave kёtё visar mbi familjen e martesën”, shkruan pika e fundit e kësaj deklarate.

Nesër në Kuvendin e Kosovës do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektkodit Civil të Kosovës, i cili lejon “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me seks të njëjtë”.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila tha të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, se sa i përket rregullores së martesave të personave me gjini të njëjtë atë duhet ta përkrahin të gjithë deputetët, përfshirë ata me bindje konservatore.

Deri më tani, ndryshimet në Kodin Civil nga radhët e deputetëve, i ka kundërshtuar deputetja e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, me arsyetimin se nuk mund t’i kundërvihet parimeve fetare të cilave ajo i përket dhe as kundër vlerave familjare.

“Prandaj, vota ime do të jetë kundër. Kundër, sepse nuk perket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Martesat e gjinisë së njëjtë janë të lejuara me Kushtetutë të Kosovës, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligji për familjen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın