BALLKANI

Bashkësia Islame e Kosovës e brengosur për sulmin izraelit ndaj Mesxhid Al-Aksasë dhe palestinezëve

Myftiu Tërnava ka theksuar se me shqetësim ka përcjellë eskalimin e situatës në Kuds që filloi me dëbimin e dhunshëm të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah

Dzihat Aliju  | 11.05.2021 - Përdıtësım : 12.05.2021
Bashkësia Islame e Kosovës e brengosur për sulmin izraelit ndaj Mesxhid Al-Aksasë dhe palestinezëve

Prishtinë

Kryetari i Bashkësisë Islame e Kosovës (BIK), Myftiu Naim Tërnava, ka reaguar lidhur me sulmet e fundit të Izraelit ndaj Mesxhid Al-Aksasë dhe palestinezëve, duke shprehur brengën e tij të thellë dhe të besimtarëve muslimanë për dhunën e ushtruar ndaj banorëve palestinezë në Kuds dhe në territoret palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një postimi nga rrjetet sociale, Tërnava ka theksuar se me shqetësim ka përcjellë eskalimin e situatës në Kuds që filloi me dëbimin e dhunshëm të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah për të vazhduar me atakimin dhe përdhosjen e institucionit të xhamisë së shenjtë Al-Aksa.

"Shpreh brengën time të thellë dhe të besimtarëve muslimanë për dhunën e ushtruar ndaj banorëve palestinezë në Kuds dhe në territoret palestineze. Eskalimi i konfliktit nga i cili u morën jetë të njerëzve të pafajshëm nga radhët e civilëve në fund të muajit të madhëruar të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit dëmton përpjekjet për marrëveshje mes dy popujve", thuhet në deklaratë.

"Kudsi është vendi i të gjitha feve e besimeve monoteiste, e si i tillë duhet të jetë edhe vend i bashkëjetesës e mirëkuptimit. Lutemi që sa më parë Kudsi , Al-Aksa dhe objektet tjera të kultit të gjejnë qetësinë, ndërsa banorët e Kudsit të gjejnë paqen e sigurinë", theksoi Tërnava.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın